Superhëna e janarit: shansi i fundit deri në 2026

Nëse keni shpresuar të shigni një superhënë, shënoje në kalendar. Hëna e plotë e “ujkut” me 3 janar do të duket më e madhe dhe më e ndritshme se zakonisht, dhe është superhëna e fundit që do të shohim deri në nëntor 2026.
Një superhënë ndodh zakonisht kur hëna e plotë përkon me afrimin e saj më të madh me Tokën, i njohur si perigje. Gjatë këtyre rasteve, hëna mund të duket deri në 14 për qind më e madhe dhe 30 për qind më e ndritshme sesa një mikrohënë, që është hëna kur ndodhet më larg dhe duket më e zbehtë.
Superhëna e Vitit të Ri do të arrijë ndriçimin maksimal rreth orës 5 të mëngjesit (EST) me 3 janar, por kjo nuk është e vetmja kohë për ta vëzhguar. Ja si, kur dhe ku ta shihni këtë hënë gjigante të janarit.
Kur ta shikoni superhënën e 3 janarit
Nëse qielli është i kthjellët, mund ta shihni superhënën gjatë gjithë natës nga 2 në 3 janar. Megjithatë, pamja më mbresëlënëse është kur hëna lind dhe perëndon, pra rreth perëndimit dhe lindjes së diellit.
Ja pse: sipas NASA-s, syri i njeriut e percepton hënën si shumë më të madhe kur është afër horizontit, edhe pse madhësia e saj është e njëjtë si kur është lart në qiell. Ky është një iluzion optik i njohur si “iluzioni i hënës”.
Ngjyra e hënës gjatë lindjes e shton magjinë. Lart në qiell, hëna e plotë duket e bardhë dhe shumë e ndritshme; pranë horizontit, ajo merr një ngjyrë portokalli të çuditshme. Kjo ndodh sepse drita e hënës kalon nëpër më shumë shtresa të atmosferës kur është poshtë në qiell. Valët blu shpërndahen, ndërsa valët e kuqe kalojnë, duke i dhënë hënës një nuancë portokalli.
Superhëna e këtij muaji vjen edhe me disa pamje të tjera të bukura: Jupiteri i ndritshëm do të qëndrojë pranë saj gjatë gjithë natës së 3 janarit, po ashtu edhe yjësia dimërore Orion. Mbajini sytë edhe nga Saturni, i cili do të shkëlqejë në qiellin jugperëndimor rreth kohës së lindjes së hënës.
Si ta shihni superhënën
Ndryshe nga shirat meteorikë apo dritat veriore, nuk keni nevojë për një vend shumë të errët për të shijuar superhënën. Ajo është mjaft e ndritshme për t’u parë kudo, edhe nga qytetet me ndriçim të fortë. Faktori më i rëndësishëm? Të zgjedhësh një vend për lindjen ose perëndimin e hënës me pamje të hapur drejt horizontit.
Hëna e janarit lind në verilindje mbrëmjeve të 2 dhe 3 janarit. Ajo lëviz lart në qiell gjatë muzgut dhe perëndon në perëndim rreth lindjes së diellit. Nëse e vëzhgoni hënën natën vonë ose herët në mëngjes, kini parasysh edhe një pamje tjetër mahnitëse: topat e zjarrit.
Këtë muaj, superhëna përkon me kulmin e shiut meteorik Quadrantid nga 2 në 3 janar, i njohur për meteorët shumë të ndritshëm, të quajtur “topa zjarri”. Edhe pse drita e hënës do të fshehë një pjesë të aktivitetit, topat e zjarrit të Quadrantidëve mund të duken sërish, sidomos gjatë orëve nga mesnata deri para agimit.
A më duhet teleskop për të parë superhënën?
Hëna e plotë është mjaft e madhe për t’u shijuar me sy të lirë. Mund të përdorni edhe një teleskop apo dylbi astronomike për të parë detajet e saj, por kjo bëhet më mirë jashtë fazës më të ndritshme të hënës. Provoni fazën gjysmë të plotë për të dalluar kraterë të mëdhenj dhe maja malore në sipërfaqen hënore.
Si të fotografoni një superhënë
Fotografimi i superhënës kërkon pak njohuri. Nëse përdorni një aparat DSLR ose mirrorless, merr një tripod dhe një lente telefoto dhe përpiquni ta kapni gjatë lindjes së saj dramatike me ngjyrë portokalli. Jini kreativ me elementet përpara, ndërtesa të larta, pemë, male apo edhe kafshë mund t’i japin fotos përmasë dhe bukuri.
Për fotografim me smartphone, ndiqni të njëjtën ide, por përdorni zmadhimin optik të kamerës (jo zmadhimin digjital me gishta), rreth 5x, për foto të afërta dhe mbresëlënëse. Një tripod për telefonin do të të ndihmojë shumë./ nationalgeographic











