Ndahet nga jeta aktori i Grey’s Anatomy

Aktori amerikan Eric Dane ka ndërruar jetë në moshën 53-vjeçare, 10 muaj pasi bëri publike betejën e tij me sëmundjen ALS (skleroza laterale amiotrofike).
Lajmi për vdekjen e tij u konfirmua nga familja, e cila në një deklaratë tha se aktori u nda nga jeta më 19 shkurt, i rrethuar nga bashkëshortja e tij dhe dy vajzat, Billie dhe Georgia.
“Me zemra të thyera ndajmë lajmin se Eric u nda nga jeta pas një beteje të guximshme me ALS. Ai i kaloi ditët e fundit i rrethuar nga njerëzit më të dashur,” thuhet në deklaratë. Familja kërkoi privatësi në këtë periudhë të vështirë.
Dane u bë i njohur në mbarë botën me rolin e Dr. Mark Sloan, i njohur si “McSteamy”, në serialin hit Grey’s Anatomy. Personazhi i tij debutoi në sezonin e dytë dhe, falë reagimit të madh të publikut, u kthye në rol kryesor deri në vitin 2012.
Më vonë, ai u shfaq në projekte të suksesshme si Euphoria, ku interpretoi Cal Jacobs, si dhe në filma si Valentine’s Day, Marley & Me dhe Burlesque.
I lindur në San Francisko në vitin 1972, Dane humbi të atin në moshën 7-vjeçare. Ai e zbuloi aktrimin rastësisht gjatë shkollës së mesme dhe më pas u transferua në Los Angeles për të ndjekur ëndrrën e tij.
Aktori ka qenë i hapur për betejat me varësinë dhe depresionin ndër vite. Në vitin 2004 ai u martua me aktoren Rebecca Gayheart, me të cilën pati dy vajza.
Në vitin 2024, Dane zbuloi publikisht se ishte diagnostikuar me ALS. Gjatë muajve të fundit, ai u angazhua për rritjen e ndërgjegjësimit dhe mbështetjen e kërkimeve për këtë sëmundje të rëndë neurodegjenerative.









