Tragjedi në Peshtan Bregas: 35-vjeçari humb jetën pasi u aksidentua me frezë në tokat e tij

Fier – Një ngjarje e rëndë është shënuar pak minuta më parë në fshatin Peshtan Bregas, Njësia Administrative Frakull, Bashkia Fier, ku një 35-vjeçar Hamza Duraj ka humbur jetën tragjikisht gjatë punës në tokat bujqësore.
Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, si dhe nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier, mësohet se burri kishte dalë për të punuar tokën me frezë, kur dyshohet se është penguar aksidentalisht dhe ka rënë në tokë. Në ato momente, mjeti bujqësor i ka kaluar sipër trupit, duke i shkaktuar plagë fatale dhe vdekje të menjëhershme.
Trupi i pajetë është gjetur nga familjarët, të cilët ishin shqetësuar pasi ai nuk po u përgjigjej thirrjeve telefonike. Ata kanë njoftuar menjëherë shërbimet e emergjencës.
Në vendngjarje kanë mbërritur efektivët e policisë dhe ambulanca, e cila e ka transportuar 35 vjeçarin drejt Spitalit Rajonal të Fierit, por fatkeqësisht ai kishte ndërruar jetë që në vendin e ngjarjes.
Aktualisht, trupi ndodhet në morgun e Spitalit Rajonal Fier, ku pritet të kryhet ekspertiza mjeko-ligjore. Më pas, familjarët do të tërheqin trupin për të kryer ceremoninë mortore gjatë ditës së nesërme.
Policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij aksidenti tragjik
Fier/ Informacion paraprak
Rreth orës 14:40, në fshatin Peshtan Bregas, shtetasi H. D., 36 vjeç, duke drejtuar një mjet bujqësor (frezë), dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit, dhe mjeti bujqësor është rrëzuar duke e zënë poshtë shtetasin H. D., i cili për pasojë ka humbur jetën.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.









