Lamtumirë profesor Mersin Gjoka!

Dje në qytetin e Fierit është zhvilluar cermonia e përcjelljes për në banesën e fundit e profesor Mersin Gjokës.Ai ishte një qytetar model dhe një prind shëmbullor.Ai tashmë i përket njerëzve që kalojnë në këtë botë pa bërë zhurmë dhe me urtësinë që e karakterizonte dhe me mirësinë e tij la gjurmë të thella në zemrat e të gjithëve fierakëve që e donin dhe i deshte.
Profesor Mersin Gjoka ishte një njeri i qetë dhe i urtë. Fjala e tij ishte gjithmonë e matur, e mençur dhe plot respekt. Ai nuk kërkonte kurrë vëmendje, sepse brenda tij kishte një zemër të bardhë dhe një shpirt të mirë.Jeta e profesor Mersinit nuk ishte vetëm qetësi dhe urtësi. Në rininë e tij, ai ishte një futbollist dhe sportist i model për skuadrën e Apollonisë. Me pasionin dhe talentin e tij në sport, ai fitoi respektin dhe admirimin e shumë njerëzve. Për shumëkënd ai ishte jo vetëm një lojtar dhe trajnier i mirë, por edhe një shembull i disiplinës, i përkushtimit dhe i dashurisë për sportin dhe njërëzit.
Më pas, ai vazhdoi të ndikojë në jetën e të tjerëve në një mënyrë edhe më të thellë. Si mësues, ai ishte i dashur dhe shumë i respektuar. Breza të tërë nxënësish kaluan nëpër duart e tij dhe morën jo vetëm dije, por edhe edukatë, respekt dhe vlera njerëzore.
Shumë nga ata nxënës janë tashmë të rritur dhe jetojnë sot me familjet e tyre por ata e kujtojnë me respekt dhe mirënjohje mësuesin e tyre të dashur profesor Mersin Gjokën.Ky është një nga nderet më të mëdha që mund të ketë një mësues: të jetojë në kujtesën e nxënësve të tij si një njeri që ka bërë ndryshim në jetën e tyre.
Profesor Mersini ndërtoi familjen e tij mbi respektin, përkushtimin dhe dashurinë. Ishte një shok jete i besueshëm, një mbështetje e palëkundur dhe me një zemër që gjithmonë rrihte për familjen e tij.
Si baba, ai ishte një shembull i vërtetë. Ai u mësoi fëmijëve të tij jo vetëm me fjalë, por me veprat e tij: të jenë njerëz të ndershëm, të urtë, të fortë dhe të drejtë. Ai ishte udhërrëfyesi i tyre, mbështetja dhe krenaria e tyre.
Edhe kur erdhi koha të bëhej gjysh, zemra e tij u bë edhe më e madhe. Ai ishte një gjysh i veçantë, i dashur dhe i përkushtuar. Nipërit dhe mbesat gjenin tek profesor Mersini ngrohtësi, dashuri dhe një qetësi që vetëm një gjysh me zemër të madhe mund tua dhuronte.

Largimi i tij nga kjo jetë është i rëndë për familjen, për miqtë dhe për të gjithë ata që patën fatin ta njohin,por profesor Mersini ka lënë një pasuri të madhe kujtesën e jetës së tij, shembullin e tij dhe dashurinë për njlrëzit.Profesor Mersin Gjoka do të jetoj në kujtimet tona, në vlerat që la dhe në dashurinë që mbolli në familjen e tij tek nxënësit dhe tek miqtë e tij të shumtë.
Edhe pse ai nuk do të jetë mes nesh, kujtesa dhe dashuria për të do të jetojë gjithmonë në zemrat tona.
U prehsh në paqe profesor Mersin Gjoka.Mungesa jote do të jetë e madhe por do të jetosh gjithmonë në kujtimet e fierakëve të tu të dashu.
“Sofra Fierake” shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së profesor Mersin Gjokës!









