Pas dhjetëra denoncimesh të bëra nga LSI-ja në lidhje me kompanitë që kanë bërë evazion fiskal në bashkëpunim me kompanitë e inceneratorëve, Klodian Zoton dhe Klodian Mërtirin, edhe SPAK është zgjuar.
Mësohet se sot është pezulluar aktiviteti në kompanitë e denoncuara nga Lëvizja Socialiste për Integrim në lidhje me aferën e inceneratorëve.
Burime nga Prokuroria e Posaçme bëjnë me dije se hetuesit ka kërkuar pezullimin e aktivitetit të këtyre kompanive, ku referuar të dhënave në QKB, aktiviteti i tyre është pezulluar ditën e sotme.
Pak ditë më parë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë pranoi se skemat e mashtrimit me tatimin mbi vlerën e shtuar të denoncuara nga Lëvizja Socialiste për Integrim janë të vërteta dhe se kanë qenë vetë tatimet që i kanë referuar në prokurori në vitin 2018.
Ministrja Delina Ibrahimaj tha se janë denoncuar 20 kompani fiktive që prisnin fatura për punë të pakryera, dhe se faturat janë blerë nga 197 firma, mes të cilave edhe kontraktorë të inceneratorëve.
Sipas ministrisë së Financave skemat e mashtrimit me TVSH-në kanë nisur të përdoren në masë që prej vitit 2017, ndërsa në 2018-ën u zbuluan disa skema me vlerë 34.6 milionë euro.