OP/ AN

Perandori që u martua me burrë dhe Shqipëria e ditëve tona.

Nga Akil Pano – Historia e qytetërimeve nuk fillon me katastrofa të mëdha. Ajo nis me heshtje! Fillon me një moment kur njerëzit e mençur heshtin.
Kur elitat nuk flasin. Kur turma përshtatet.

Një nga momentet më simbolike të këtij fenomeni ndodhi në Romën antike. Ngjarja na fton të shohim në oborrin e perandorit Neron i cili në histori njihet si persekutori më i egër i të krishterëve. Historianët romakë Tacidi dhe Suetoni tregojnë një episod të pazakontë. Perandori i Romës Neroni, kishte humbur gruan e tij, Poppaea Sabina. Një ditë në oborrin e perandorit u shfaq një djalë i ri që i ngjante asaj.
Djali quhej Sporus.

Kur Neroni e pa, urdhëroi që djali të kastrohej. Pastaj e veshi me rrobat e perandoreshës dhe organizoi një ceremoni publike martese.

Sporusi u prezantua si bashkëshortja e perandorit.
Por çka është më tronditëse në këtë histori nuk është veprimi i një tirani! Është reagimi i shoqërisë. Senati romak nuk protestoi. Filozofët dhe elitat heshtën.
Këtu historia na mëson një të vërtetë të frikshme:

Shoqëria mund të mësohet me çdo absurditet nëse pushteti e kërkon atë.

Platoni, paralajmeroi për këtë proces tek vepra e tij Republika! Ai shkruante se demokracitë mund të degradojnë kur njerëzit fillojnë të humbasin dallimin midis të drejtës dhe të gabuarës. Në këtë moment lind tirania.
Jo sepse tirani është i fortë. Por sepse shoqëria është korruptuar moralisht.

Aristoteli tek vepra e tij Politika shkruan diçka të rëndësishme.
“Tirania nuk mbështetet vetëm në forcë. Ajo mbështetet në korrupsionin e elitave.” Kur elitat politike, ekonomike dhe intelektuale fillojnë të mbrojnë pushtetin në vend që ta kontrollojnë atë, institucionet kthehen në fasadë. Dhe shteti fillon të kalbet nga brenda.

Në shekullin XX, filozofja Hannah Arendt analizoi këtë fenomen. Ajo e quajti
“banaliteti i së keqes.”

E keqja nuk triumfon vetëm sepse ekzistojnë njerëz të këqij. Ajo triumfon sepse njerëzit normalë përshtaten me sistemin.
Sepse ata thonë:
“nuk është puna ime, nuk dua probleme, të gjithë po bëjnë të njëjtën gjë.”
Kështu tiranitë ndërtohen jo vetëm nga diktatorët. Tiranitë ndërtohen nga heshtja, frika, indiferentizmi dhe konformizmi i shoqërisë.

George Orwell e përshkroi këtë proces në romanin 1984. Ai paralajmëroi se pushteti modern nuk sundon vetëm përmes forcës. Ai sundon përmes manipulimit të realitetit.
Kur njerëzit fillojnë të besojnë se e zeza është e bardhë, dobësia është forcë, gënjeshtra është e vërtetë, atëherë shoqëria hyn në një epokë të rrezikshme.

Historiani Edward Gibbon shkroi në veprën e tij të famshme mbi rënien e Romës se qytetërimet nuk shemben vetëm nga armiqtë. Ato shemben kur institucionet korruptohen, ligji humb autoritetin dhe besimi publik zhduket.
Roma nuk u rrëzua brenda një dite. Ajo u rrëzua gradualisht.

Sot shoqëria Shqiptare përballet me të njëjtat rreziqe. Kur qytetarët shohin skandale korrupsioni, abuzim me pushtetin, kapje të institucioneve, besimi publik fillon të shpërbëhet. Kjo është sfida e sotme për Shqipërinë. Shqipëria, si shumë vende të tjera në tranzicion, përballet me kritika të vazhdueshme për korrupsionin e nivelit të lartë,
problemet me sundimin e ligjit,
dhe dobësinë e institucioneve.

Në këtë kontekst lind një pyetje e rëndësishme:

A do të reagojnë qytetarët dhe institucionet për të forcuar demokracinë? Apo do të përshtaten më tej e më thellë me sistemin?

Historia e Neronit dhe Sporusit është metafora për procesin e dekadencës së thellë të një shoqërie e cila nuk reagon.

Kur një shoqëri ndalon së thëni të vërtetën, absurdi bëhet normal. Kur elitat heshtin, pushteti bëhet arrogant. Kur qytetarët dorëzohen, institucionet dobësohen. Historia është një pasqyrë për të tashmen. Pyetja është shumë e thjeshtë:

A kemi guxim të mbrojmë të vërtetën? A kemi guxim të mbrojmë institucionet? A kemi guxim të themi “jo” kur pushteti kërkon heshtje?

Historia e Neronit dhe Sporusit nuk është një histori e çuditshme nga Roma antike. Është një paralajmërim. Qytetërimet nuk shkatërrohen nga barbarët jashtë mureve.
Ato shpesh shkatërrohen nga korrupsioni dhe heshtja brenda tyre.
Dhe në fund historia i bën çdo brezi të njëjtën pyetje:

Kur turma thotë ‘hesht, s’është puna jote, mos u merr… a do të kesh guximin të qëndrosh për të vërtetën?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button