Të duash apo të përdorësh PS-në? Një dallim që përcakton fatin e saj.

Nga Petro Koçi – Të duash Partinë Socialiste është ndryshe nga të kesh nevojë për Partinë Socialiste.
Ata që e duan, përpiqen ta përmirësojnë dhe ta përsosin, sepse ndjejnë përgjegjësi për përpjekjet, vuajtjet, sakrificat dhe kontributet e mijëra militantëve ndër vite. Ndërsa ata që thjesht e përdorin për karrierë apo pasurim, shpesh e shpërdorojnë pushtetin, e deformojnë dhe dëmtojnë moralin e saj publik.
Kur gjërat nuk ecin siç duhet, ata që e duan PS-në ndërhyjnë: analizojnë, këshillojnë dhe propozojnë zgjidhje.
Të korruptuarit apo tradhtarët e besimit popullor përpiqen t’i mbulojnë problemet dhe dukuritë regresive. Ata ndërtojnë skema që shmangin fuqinë e anëtarësisë në vendimmarrje dhe sillen me arrogancën e një pushteti të deleguar nga lart. Janë ata që vendosin “motin politik” në parti, duke u sjellë si bajraktarë të dikurshëm – por të veshur me Armani.
Prandaj është e domosdoshme të balancohet kjo marrëdhënie, duke i dhënë anëtarësisë të paktën gjysmën e pushtetit të deleguarve. Republika duhet t’u hiqet nga duart drejtuesve dhe t’u kthehet sovranit – anëtarësisë dhe përfaqësuesve të saj.
Qeveria nuk duhet të presë që korrupsioni të luftohet vetëm nga SPAK apo GJKKO. Ajo duhet të ndërhyjë me vendosmëri përmes masave administrative ndaj çdo zyrtari që rezulton me shkelje, sidomos financiare, të evidentuara nga KLSH apo auditimet shtetërore.
Partia duhet të bëhet më kolegjiale në vendimmarrje dhe të respektojë në mënyrë institucionale vlerësimin e anëtarësisë për çështjet e rëndësishme politike. Qasja institucionale duhet të synojë shndërrimin e saj në një instrument real demokratik, që garanton pjesëmarrjen e qytetarëve në qeverisje gjatë gjithë mandatit.
Zërat kritikë duhet të ruajnë etikën dhe vetëpërmbajtjen konstruktive, për të mos i lënë hapësirë të korruptuarve të fshihen pas flamurit të rremë të unitetit.
Partia Socialiste i ka të gjitha energjitë, përvojën dhe mençurinë për t’u vetëkorrigjuar, për të ecur përpara drejt një qeverisjeje të suksesshme, që realizon me meritë integrimin europian dhe përballet denjësisht me një opozitë të dobët në sfidat elektorale që vijnë.









