AKTUALITETTOP-NEWS

“Turp në Drizar: Të vdekurit mbahen në krah nga mungesa e rrugës” (fotot)

Mallakastër – Në fshatin Drizar, një segment rreth 1.5 kilometra rrugë është kthyer në një pengesë të rëndë për rreth 200 familje të katër lagjeve, të cilat nuk kanë mundësi të çojnë të afërmit e tyre në banesën e fundit me automjet.

Banorët tregojnë se rruga është në gjendje të mjerueshme gjatë gjithë vitit. Në dimër mbulohet nga balta dhe bëhet e pakalueshme, ndërsa në verë mbetet e vështirë për shkak të gurëve të mëdhenj që dëmtojnë mjetet dhe rrezikojnë edhe këmbësorët.

Në shumë raste, ata detyrohen të mbajnë arkivolin në krah, duke kaluar përmes oborreve dhe bahçeve të banorëve për të shkurtuar rrugën, pasi segmenti kryesor është i pakalueshëm.

“Rruga është njësoj e pakalueshme si në dimër, ashtu edhe në verë,” – shprehet një banor.

Ndërsa një tjetër shton: “I lutem Zotit të bëhet rruga, sepse nga politika nuk presim më asgjë.”

Sipas tyre, çdo lagje ka rreth 50 familje dhe problemi është i kahershëm. Edhe pse materiali për shtrimin e rrugës, si çakulli, mund të sigurohet nga vetë banorët, mungon ndërhyrja dhe vullneti i pushtetit vendor.

“Vijnë vetëm për vota, por rruga nuk është bërë kurrë,” – thotë një i moshuar i zonës.

Rruga që të çon drejt varrezave dhe teqes së fshatit është ndërtuar që në vitin 1963 dhe që nga ajo kohë nuk ka parë asnjë investim, duke mbetur një plagë e hapur për komunitetin.

Ndërkohë, banorët theksojnë se në fshatrat përreth rrugët drejt varrezave janë të sistemuara, ndërsa në Drizar, edhe sot, lamtumira e fundit për të afërmit bëhet mes vështirësive dhe dinjitetit të cenuar ku disa herë kalojmë nëpër gjerdhet e komshënjëve.

Përballë kësaj situate, ata kërkojnë ndërhyrje urgjente për t’i dhënë fund një problematike që zgjat prej dekadash dhe prek drejtpërdrejt jetën dhe dinjitetin e komunitetit.

I pyetur për këtë çështje, kryebashkiaku Qerim Ismailaj është shprehur se ky segment rrugor është parashikuar si prioritet në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm.

Banorët mbeten në pritje të një zgjidhjeje konkrete, me shpresën se këtë herë premtimet do të kthehen në realitet. Fshati Drizar përbëhet nga 4 lagje me afro 250 familje në total. /ALB365

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button