KULTURË

Regjizori shqiptar nga Athina po çudit skenat e kontinentit

Liberation: “Mario Banushi po afirmohet si një nga zërat më origjinalë të teatrit bashkëkohor europian.

Një numër i madh mediash franceze po bëjnë kronika dhe artikuj për regjizorin e ri shqiptar Mario Banushi dy pjesë të të cilit po shfaqen aktualisht në Odéon-Théâtre de l’Europe, në Paris.
“Regjisori i ri shqiptar Mario Banushi po afirmohet si një nga zërat më origjinalë të teatrit bashkëkohor europian. Me shfaqjen e tij të fundit, Goodbye Lindita, ai sjell një univers të fuqishëm emocional, ku fjala mungon, por gjithçka tjetër flet”, shkruante fundjavën e shkuar gazeta Liberation.

Në qendër të njërës nga veprat, “Goodbye Lindita” është një familje shqiptare e përballur me vdekjen. Një trup i pajetë qëndron në mes të skenës, ndërsa rreth tij zhvillohen gjeste të përditshme: palosje rrobash, lëvizje mobiljesh, rutinë që përsëritet, e gjitha pa asnjë fjalë. Por këto veprime të zakonshme shndërrohen në një gjuhë simbolike, duke krijuar një atmosferë të rëndë, pothuajse rituale.
“Banushi nuk shpjegon – ai sugjeron, nuk tregon – ai lë të ndjesh” shkruan e njëta gazetë.

26 vjeçari Mario Banushi, pjesa e të cilit mban emrin e vjerrës së tij të bukur, pohon se ai e vizaton tërësisht shfaqjen në boca përpara se ta krijojë atë. Ai vizaton gjithmonë sepse kjo është mënyra e tij për të ruajtur gjurmët e fshatit të tij në Shqipëri, ku u jetoi deri në moshën 6 vjeçare. Ai u rrit nga gjyshja, ndërsa prindërit e tij, pas fundosjes së anijes Vlora në gusht 1991, provuan të merrnin rrugën drejt Athinës, ku u vendosën përfundimisht.

Pjesa e tij e parë, “Ragada’, u paraqit në shtëpinë e një miku në Athinë gjatë izolimit të covidit. Ai kishte thirrur drejtues të teatrove që të vinin dhe kishte marrë një përgjigje pozitive. Më pas, drejtori i Teatrit Kombëtar të Greqisë e pa shfaqjen dhe e ftoi ta vinte atë në skenën e madhe.

Shfaqja e radhës, Goodbye Lindita, e krijuar në vitin 2023 në skenën eksperimentale të Teatrit Kombëtar të Greqisë, më pas udhëtoi ndërkombëtarisht deri në Australi për të mbërritur tani në Paris, pas suksesit që arriti në bienalen e Venecias ku u nderua me “Luanin e argjendtë”.
Mario Banushi nuk kishte udhëtuar kurrë më parë, përveç udhëtimit për të shkuar te prindërit në Athinë pas moshës 6 vjeç. Ai nisi të udhëtojë nëpër botë me shfaqjet e tij, pa e ditur paraprakisht nëse publiku do ta kuptonte apo do ta pranonte llojin e veçantë të artit që bënte

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button