Bonnie Tyler në gjendje të rënduar shëndetësore

Gjendja shëndetësore e këngëtares së njohur Bonnie Tyler është përkeqësuar papritur, pasi ajo është shtruar me urgjencë në një spital në Portugali dhe i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale për shkak të një problemi në zorrë.
Sipas mediave portugeze, 74-vjeçarja fillimisht ka kaluar operacionin me sukses dhe ishte në fazë rikuperimi, por gjendja e saj është rënduar në orët e fundit, duke bërë që të kalojë në kujdes intensiv dhe të vendoset në koma artificiale.
E përditshmja “Correio da Manhã” raporton se këngëtarja e hitit botëror “Total Eclipse of the Heart” është transferuar nga njësia e trajtimit të ndërmjetëm në repartin e terapisë intensive të spitalit në Faro.
Në raportimet e mediave theksohet gjithashtu se mjekët që po e trajtojnë nuk mund të japin ende një prognozë të qartë mbi ecurinë e gjendjes së saj në orët dhe ditët në vijim.
Autoritetet spitalore dhe përfaqësuesit e artistes nuk kanë dhënë ende një përditësim zyrtar të ri mbi gjendjen e saj.









