Mbi 50 ditë protestë/ Regjisori habitet nga tredhja e artistëve në Shqipëri

Mbi dy muaj protesta nuk kanë mjaftuar për të thyer heshtjen e artistëve shqiptarë, që përfundimisht janë konfirmuar si një shtresë e nënshtruar, pa zë dhe krejtësisht e tredhur përballë qeverisë. Ky shqetësim ka ngacmuar regjisorin Mevlan Shanaj, i cili akuzon komunitetin artistik për konformizëm dhe mungesë guximi për t’u përballur me pushtetin.
Ai thotë se kritika në Shqipëri “ka rendur shpesh pas pushtetit” dhe jo përpara tij, ndërsa ngre pyetjen: “Pse heshtin?”. Për Shanajn, “heshtja nuk është gjithmonë shenjë urtësie”, por “bëhet bashkëfajtore me atë që nuk guxojmë ta kundërshtojmë”.
Mesazhi i plotë i Shanajt
Vazhdoj të mbetem i befasuar nga heshtja pothuajse e plotë e artistëve për t’u shprehur mbi realizimet e kolegëve të tyre. Nuk po flas për analiza të gjata e studime kritike. Edhe një opinion i shkurtër, një përgëzim, një urim për sukses apo për shëndet, rrallëherë ndodh të dëgjohet.
Ndërkohë, kur prekën tema tabu ose çështje që lidhen me administratën shtetërore, zëri i intelektualit, në përgjithësi, mbetet i heshtur. E, nëse dëgjohet, shpesh del me pikatore, i ngarkuar më shumë me mllefe militantizmi sesa me gjykime të pavarura e serioze.
Edhe më shqetësuese është mungesa e debatit profesional për atë që po ndodh me artin dhe kulturën. Publiku, në çdo kohë, ka qenë më i avancuar në kërkesat e tij shpirtërore sesa qëndrimet zyrtare. Megjithatë, kritika profesionale ka munguar ose ka zgjedhur të ecë në harmoni me mendimin zyrtar.
Kjo nuk është një dukuri e re. Për fat të keq, në Shqipëri kritika ka rendur shpesh pas pushtetit, në vend që të ecë përpara tij. Pikërisht ky konformizëm na ka sjellë në këtë gjendje plogështie, ku synimi kryesor duket të jetë të mos prishet qetësia e administratës, edhe kur veprimet e saj janë larg frymës bashkëkohore dhe interesit të qytetarit.
Pyetja ime është e thjeshtë: pse ndodh kjo edhe me ata që e kuptojnë se kjo mënyrë jetese nuk na mbron dhe nuk na çon drejt një shoqërie më të qytetëruar? Pse heshtin?
A nuk do të ndiheshin më të lirë, më të çliruar shpirtërisht, artistët dhe intelektualët, po të flaknin indiferencën – për të mos thënë frikën – dhe të shprehnin hapur mendimin e tyre?
Sepse heshtja nuk është gjithmonë shenjë urtësie. Shpesh ajo bëhet bashkëfajtore me atë që nuk guxojmë ta kundërshtojmë.( Nga libri në proçes ” Nuk është vonë të tregosh”)










