
Vlorë – Ka përfunduar takimi i kryeministrit Edi Rama me kryetarët e bashkive, i zhvilluar në zonën e Kuçit të Vlorës ku në qendër të diskutimeve ishte reforma territoriale, funksionimi i pushtetit vendor dhe mënyra e organizimit të bashkive në të ardhmen.
Në takim morën pjesë rreth 20 kryetarë bashkish nga qarqe të ndryshme të vendit. Diskutimet u përqendruan te nevoja për një organizim më efikas të pushtetit vendor, forcimin e kapaciteteve të bashkive dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.
Pjesë e takimit ishin drejtues të bashkive Durrës, Shkodër, Kukës, Elbasan, Korçë, Berat, Vlorë, Gjirokastër, Klos, Rrogozhinë, Dimal, Poliçan, Patos, Divjakë, Selenicë, Maliq, Këlcyrë, Cërrik, Belsh dhe Libohovë.

Takimi vjen në një periudhë kur reforma territoriale dhe modeli i funksionimit të pushtetit vendor janë rikthyer në qendër të diskutimit politik. Kryebashkiakët kanë diskutuar problematikat me të cilat përballen në administrimin e territorit, menaxhimin e burimeve dhe ofrimin e shërbimeve publike.
Nga diskutimet pritet që të dalin edhe propozime konkrete lidhur me mënyrën se si mund të përmirësohet organizimi territorial dhe administrativ i vendit, duke synuar rritjen e eficiencës së pushtetit vendor dhe një administrim më të mirë të zonave që bashkitë mbulojnë.
Takimi në Kuç të Vlorës është pjesë e diskutimeve për të ardhmen e qeverisjes vendore, ndërsa ende nuk janë bërë publike detaje të plota mbi propozimet konkrete që mund të shoqërojnë një ndryshim të mundshëm të organizimit territorial.








