BOTA

Merz – AfD: Ju doni spastrime etnike në Gjermani!

Tri ditë pas zgjedhjeve në landin e Saksoni-Anhaltit, AfD-ja dhe kancelari Merz u përfshinë në një përplasje të ashpër verbale në Bundestag. Politikanët e AfD-së kërkuan dorëheqjen e Merzit.

Kryetarja e “Alternativës për Gjermaninë” (AfD), Alice Weidel, në fjalimin e saj në Bundestag këtë të mërkurë (09.09.2026), iu deshën saktësisht shtatë sekonda për të shpallur konkluzionin e saj kryesor nga zgjedhjet rajonale në Saksoni-Anhalt. Ajo e drejtoi shikimin nga kancelari federal Friedrich Merz (CDU), i cili po lexonte demonstrativisht dokumente në bankën e qeverisë.

Ajo tha: “Votuesit në Saksoni-Anhalt jua kanë bërë të qartë, në gjuhën e sovranit demokratik: koalicioni CDU/CSU – SPD ka marrë fund. Njerëzit duan më në fund një ndryshim politik. Dhe ata nuk duan vazhdimin e politikës së deritanishme.”

Në fakt, rezultati i zgjedhjeve të fundjavës së kaluar në këtë land të vogël të Gjermanisë qendrore përbën një pikëkthese për vendin dhe një dështim për partitë qeverisëse në Berlin, konservatorët dhe socialdemokratët. Pra, për “koalicionin CDU/CSU dhe SPD”, siç e quajti Weidel. Së bashku, ato arritën vetëm 26,5 për qind të votave. AfD-ja, e klasifikuar nga Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës në Saksoni-Anhalt si “e konfirmuar ekstremiste e djathtë”, mori pothuajse 44 për qind.

Weidel flet, deputetët kryesisht dëgjojnë

Është java e debatit për buxhetin në Bundestag. Kur diskutohet një buxhet relativisht i vogël, si ai i Kancelarisë Federale, tradicionalisht zhvillohet një përballje mes opozitës dhe qeverisë. Është praktikë e zakonshme që opozita të ketë mundësinë të shfrytëzojë këtë moment pa shumë ndërprerje.

Alice Weidel mundi të fliste pothuajse pa pengesa. Ajo foli për një shtet social të fryrë, për borxhe të larta, si edhe për një politikë të gabuar të energjisë dhe industrisë. Të gjitha këto ia atribuoi personalisht Merzit. Por, natyrisht, liderja e AfD-së e ngriti tonin veçanërisht kur bëhej fjalë për migracionin, temën kryesore të partisë së saj. Ose më saktë: kundërshtimin ndaj emigracionit. Ajo deklaroi se çdo vit ndodhin 700 përdhunime në grup, të kryera nga klane kriminale dhe migrantë.

Kryetarja e Parlamentit: Nuk jemi në fushë futbolli!

Weidel vazhdoi duke folur për një “industri azili” të papërballueshme financiarisht dhe për një politikë të jashtme tërësisht të gabuar nëse Gjermania vazhdon të mbështesë Ukrainën në luftën e saj mbrojtëse kundër agresionit rus. Me fjalë të tjera, ajo nuk la asnjë temë pa kritikuar.

Pas Weidelit e mori fjalën kancelari Friedrich Merz dhe atmosfera në sallë ndryshoi menjëherë. Merzi u ndërpre vazhdimisht nga britmat, ndërsa herë pas here dëgjohej thirrja: “Jep dorëheqjen!” Kryetarja e Bundestagut, Julia Klöckner (CDU), më në fund iu drejtua drejtpërdrejt grupit parlamentar të AfD-së dhe tha: “Këtu nuk jemi në një fushë futbolli. Ruajini këto për fundjavën. Nëse kjo sjellje përsëritet edhe një herë, do t’ju nxjerr jashtë sallës. Mjaft më!”

Merz: Ju nuk do të arrini kurrë shumicën në të gjithë Gjermaninë!

Friedrich Merz dukej i prekur. Humbja e partisë së tij dhe rritja e madhe e AfD-së kishin lënë gjurmë të dukshme. Ai foli për një hendek të thellë mes partive të koalicionit qeverisës dhe AfD-së. Kjo vlen për shumë çështje: për mbrojtjen, për forcimin e Bundeswehr-it dhe për mbështetjen ndaj Ukrainës së sulmuar nga Rusia.

Merzi tha se edhe ai e kuptonte se pas një humbjeje të tillë zgjedhore duhej të reflektonte. Por kur bëhet fjalë për integrimin evropian, mbrojtjen e demokracisë dhe të shtetit ligjor, ai tha se është i sigurt se ka shumicën pas vetes.

Duke iu drejtuar AfD-së, ai tha: “Asnjëherë dhe askund në Gjermani nuk do të fitoni shumicën me këtë politikë. Ju jeni dhe do të mbeteni një forcë shkatërruese.”

Merzi shkaktoi reagime të forta edhe kur foli për migracionin dhe përdori termin e AfD-së “remigrim”:

“Fjala ‘remigrim’ nuk është asgjë tjetër veçse një sinonim për spastrim etnik sipas origjinës dhe ngjyrës së lëkurës. Një në gjashtë punonjës në sektorin e zejtarisë ka pasaportë të huaj. Nëse ata që punojnë në Gjermani largohen nga vendi, ky sektor nuk do të mund të funksionojë më dhe asnjë institucion kujdesi për të moshuarit nuk do të mund të punojë.”

Të Gjelbrit kërkojnë rishqyrtim të ndalimit të AfD-së

Edhe në debatin që pasoi u bë e qartë se tema kryesore e politikës në Berlin mbetet AfD-ja dhe mënyra se si duhet trajtuar kjo parti. Kryetarja e grupit parlamentar të Të Gjelbërve, Katharina Dröge, u bëri thirrje partive të tjera të shqyrtojnë nëse ndalimi i AfD-së do të ishte i mundur.

Vetëm tre institucione mund të paraqesin një kërkesë të tillë në Gjykatën Kushtetuese Federale: qeveria federale, Bundestagu dhe Bundesrati, që përfaqëson landet federale.

Dröge tha: “Jemi në një pikë të demokracisë sonë ku përplasja politike e zakonshme ndoshta nuk mjafton më.” Sipas saj, Kushtetuta gjermane, si masë e fundit, parashikon edhe ndalimin e partive politike. “Ka ardhur koha. Mund vetëm t’ju bëj thirrje dhe t’ju kërkoj: si deputetë të Bundestagut gjerman, dëgjoni ndërgjegjen tuaj.”

Për mundësinë e ndalimit të AfD-së debatohet prej kohësh. Ekspertët mbeten të ndarë për faktin nëse kjo do të ishte një ide e mirë. Aktualisht, nuk duket se ekziston shumica e nevojshme në Bundestag për një hap të tillë./ DW.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button