Anuela Ristani/ Koplikaj: Babëzia kalon limitet, arroganca e saj e bëri më keq

I ftuar në emisionin A SHOW, në Syri TV, me moderator Adi Krasta, autori i emisionit Piranjat, Taulant Koplikaj, foli në lidhje me investigimin e Piranjave, ku u dokumentua abuzimi me detyrën nga kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani.
Pak ditë më parë, redaksia e emisionit investigativ Piranjat publikoi pamje nga një investigim disa ditor, ku provohej se Ristani përdorte mjetet e bashkisë për të dërguar bashkëshortin e saj në punë dhe fëmijët në shkollë. Teksa përballej me këtë fakt, kryetarja e komanduar reagoi në mënyrë nervoze, duke ofenduar dhe shantazhuar gazetarët e Piranjave.
“Ka pasur një lloj aludimi ky informacion ka ardhur nga njerëzit e Veliajt. Kuptohet që ky informacion është konfidencial, por për ne si redaksi pak rëndësi ka kush e ka thënë. Vetë ajo që ka përfaqësuar Veliaj për redaksinë tonë, dhe për çdo redaksi, ka qenë e gabuar dhe në njëfarë mënyre është kontekstuar. E njëjta gjë ndodh edhe me pasardhësen e tij, sepse ajo është në një linjë me të. Linja u tregua qartë edhe në mënyrën sesi Ristani iu drejtua gazetarëve dhe vulgariteti i saj përballë një trupe televizive. Kemi të bëjmë me një shofer të dytë të dedikuar bashkëshoritit të saj, këtu i kemi tejkaluar babëzitë.
Nëse do ta kishte kaluar situatën pa reaguar, do të ishte harruar për dy ditë. Ndjeshmërinë e shtoi reagimi dhe arroganca, jo denoncimi. Problemi më i madh për ne është pse makina vihej në dispozicion të burrit të saj, e gjithë kjo u devijua, sepse kjo është një gjë arrogante,” – tha Koplikaj.
Sot Piranjat depozituan një kallëzim penal në SPAK ndaj kryebashkiakes së komanduar të Tiranës për shpërdorim detyre.