Damkimi i mësuesit, një damkë për sistemin

Nga Qemal Çejku
Ndërkohë që përgatitesha të bëja një reagim për provimin e kualifikimit të mësuesve të këtij viti m’u kujtua thënia e një mësuesi të kohës kur unë kam qenë fëmijë, por atëherë nuk arrija ta kuptoja si duhet “Peshku qelbet nga koka”.
Dhe tani kam filluar t’i jap plotësisht të drejtë atij që mbante me plot meritë titullin e nderuar të mësuesit.
Ç’ndodh sot?
Zhvillohet një provim kualifikimi i mësuesve dhe rezultatet janë për të vënë duart në kokë. Ndërkohë shumica e gjithologëve drejtojnë shigjetat e akuzave drejt mësuesit, duke harruar që pas tyre është një politikë e tërë arsimbërje.
T’i marrim faktet me radhë…
Çfarë u testua?!
Pjesa shkencore, pedagogjike dhe ajo legjislative. A nuk janë këto fusha që testohen dhe në provimin e licensës dhe të portalit. Dhe duke patur parasysh që kategoria e mësuesve që u testuan janë kryesisht brumë i licensës dhe portalit, i bie t’i hedhim poshtë këto karta që qeverisja i tund me forcë si arritje në politikëbërje. I bie që vihet në dyshim edhe përgatitja serioze në fakultete.
Kalojmë më tej… Përpara zhvillimit të kualifikimit u bënë seanca trajnimesh ku mësuesit u njohën me platformën orientuese (dokumentacionin që mësuesit duhet të lexonin që të kalonin provimin). Lista e dokumentacionit u hartua nga ASCAP dhe trajnimin e zhvilluan specialistë pranë ZVA-ve, ndërkohë që tezat u hartuan nga QSHA dhe mesa duket nga ankimimet kishte mospërputhje midis asaj çfarë duhej të kërkohej dhe asaj çfarë u kërkua. Për të mos folur pastaj për tejkalim të shkallës së vështirësisë duke qenë se dhe treguesit e zbërthyer sipas kompetencave të çdo fushe janë shumë evazive (nuk mund të testohet mësuesi i parashkollorit apo i AF për pyetje shkencore që i takojnë një mësuesi të AMU apo AML se ndyshe nuk do të kishim nevojë për diploma të ndara). Përveç kësaj kishte dhe pyetje të pastrukturuara mirë. Epo kjo është punë e specialistëve.
Tjetër është dhe kufiri i kalueshmërisë. Nëse deri dje mësuesi kalonte me një prag prej 40% ky prag u rrit me 60%. Pse?Cili ishte qëllimi? Të tregonit se kemi një armatë mësuesish të papërgatitur? Ia arritët mesa duket. Por nëse këta që i futët në sistem nuk vlejnë, ku do t’i gjeni të tjerët. Apo do të ulet më tej kufiri i mesatares për t’u pranuar në Universitet?! Ka një absurditet tej limiteve që kap intelekti njerëzor.
Për të mos folur pastaj që kualifikimi nuk është i detyrueshëm (u futën në këtë proces ata që e ndjenë veten të sigurt) thjesht një mënyrë për të shtuar pikët e dosjes dhe për të përfituar një rritje modeste page (të drejtë që pa e studiuar mirë ia dhatë një mësuesi me përvojë 3-vjeçare që në logjikën time nuk është e drejtë dhe normalisht thyen një pjesë të mirë të mësuesve me Institut që kaluan peripeci për të arritur aty ku janë dhe nuk patën rritje rrogash si të rinjtë që dalin tani nga bankat e shkollës…diskriminim i hapur ky). Apo kishit hallin se paratë që do të shtonit ju duheshin për fushatë? (Kujtoj e njëjta gjë,por me përmasa më të vogla, ndodhi edhe para 4-vitesh)
Përfundimi i kësaj: demotivim i të rinjve dhe hapje e portave për ta kërkuar diku jashtë sigurinë ekonomike dhe demotivim i atyre me përvojë për ta bërë si duhet punën.
Për të vazhduar më tej me procedurat e kualifikimit për shkallët e tjera, orë të hapura dhe projekte kurrikulare.
Mënyra e vlerësimit përmes orës së hapur dhe projektit është një qasje që, në vend që të masë realisht aftësitë e mësuesit, shpesh shndërrohet në një teatër të detyruar. Nxënësit përfshihen në orë të përsëritura provash dhe përballen me një ngarkesë të panevojshme, pasi shpesh projekte të ndryshme zhvillohen në të njëjtën klasë. Në kurriz të kujt kjo? Të nxënësit duke u mbingarkuar pa arritur të përmbushë si duhet programim lëndor.
Pse u dashka një orë e hapur show për të vlerësuar mësuesin? Çfarë bëjnë drejtuesit që e kanë ngarkesë punën e monitorimit? Apo tjetër hesap ky, se patronazhimi duhet të shpërblehet…