AKTUALITETTOP-NEWS

SPAK/ A e vrave ti ish-deputetin Xhindi? Zbardhet përplasja e bashkëpunëtorëve.

Pas 16 vitesh, pikëpyetje të forta ngrihen mbi vrasjen e pazbardhur të deputetit Fatmir Xhindi.

Në seancën gjyqësore për dosjen “Plumbi i Artë”, i pandehuri Petrit Qoli ka pyetur të penduarin e drejtësisë, Skerdi Tase, nëse është ai vrasësi i deputetit Xhindi. Kjo pyetje ka shkaktuar tensione dhe ka sjellë ndërhyrjen e gjykatës për të penguar përgjigjen e Tases. Fatmir Xhindi u ekzekutua në maj të vitit 2009, një vrasje e cila nuk është zbardhur ende.

Një nga vrasjet më misterioze në dekada, ajo e ish-deputetit socialist Fatmir Xhindi, rikthehet në vëmendje përmes një pyetjeje tronditëse në procesin gjyqësor me të pandehurit e dosjes “Plumbi i Artë”.

I pandehuri Petrit Qoli adresoi disa pyetje ndaj bashkëpunëtorit të drejtësisë, Skerdi Tase, mes të cilave edhe: nëse ishte ai autori i vrasjes së Xhindit.

PETRIT QOLI, I PANDEHUR: “Mos jeni ju personi që ka qëlluar ndaj deputetit Fatmir Xhindi? Sepse ju keni thënë në dëshminë tuaj që të gjithë personat që i keni qëlluar kanë qenë në distancë 5 metra, dhe Xhindi është vrarë nga kjo distancë. Pyetja që më vjen natyrshëm të të bëj është: a jeni ju vrasësi i deputetit apo jo? A shihni mirë nga sytë, afër, larg? Se unë, për shembull, nuk shoh as afër, as larg. Dhe ju s’keni qëlluar asnjëherë në shenjë – si ka mundësi?”

Skerdi Tase nuk u lejua të përgjigjej nga trupa gjykuese, e cila ndërhyri menjëherë duke ndërprerë deklarimet e bashkëpunëtorit.

Avokati Ilirjan Dyzeni e konsideroi këtë veprim të gjykatës si shkelje, pasi sipas tij, pyetje të tilla mund të krijonin mundësinë që bashkëpunëtori të rrëfente ngjarje të tjera për të cilat mund të ketë informacione dhe nuk i ka deklaruar deri më tani.

Ish-deputeti Fatmir Xhindi u qëllua për vdekje në mbrëmjen e 3 majit 2009, pranë banesës së tij në Roskovec të Fierit. Deri më sot, ka vetëm spekulime në media dhe deklarata politike, të cilat më shumë sesa të ndihmojnë e kanë errësuar ngjarjen që ende mbetet pa autor.

Ndërkohë, dosja “Plumbi i Artë” vijon të jetë një nga çështjet më të ndjeshme dhe të ndjekura të momentit, për shkak të përfshirjes së një numri të madh të akuzuarish dhe figurash të njohura.

Në këtë proces, si rrallëherë më parë, SPAK mbron akuzat përmes tre bashkëpunëtorëve të drejtësisë: Skerdi Tase, Nuredin Dumani dhe Erion Alibej.

Dy të fundit u përplasën këtë të martë në sallën e gjyqit, kur Alibej përmendi emrin e Dashnor Dumanit vëllait të killerit me pagesë.

Përgjigja e Erion Alibej erdhi teksa po pyetej nga avokatët e të pandehurve për masakrën e Bradasheshit, ku u vranë vëllai dhe xhaxhai i tij, si dhe një mik i familjes nga Turqia.

Sipas Alibejt, Nuredin Dumani për të cilin më herët kishte rrëfyer se e kishte futur në rrethin e tij me qëllim zbardhjen e kësaj ngjarjeje nuk ia kishte pranuar përfshirjen e vëllait, Dashnor Dumanit. Ai mendon se kjo ka ndodhur për shkak të lidhjes familjare, që e detyroi Dumanin të mos ishte i sinqertë.

BASHKËPUNËTORI I DREJTËSISË: “Mos e përmend më! Ky është mashtrim, zonja gjyqtare! Mos e bëj atë gabim, mos e përmend më!”

Pas kësaj përplasjeje, trupa gjykuese është detyruar të shtojë vigjilencën e oficerëve të sigurisë dhe të krijojë distancë fizike mes dy bashkëpunëtorëve të SPAK./SyriTV

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button