Berisha: E-Albania kurthi më i keq i Ramës, do kthejmë të gjitha zyrat siç ishin në vitin 2013

Ditën e sotme, gjatë një konference me gazetarët, kreu demokrat Sali Berisha u shpreh se, nëse vjen në pushtet, në 100 ditët e para të qeverisjes së tij do të “shkrijë” e-Albania dhe do të rikthejë të gjitha zyrat si në vitin 2013.
Berisha: “Turi i dy ditëve të fundit, që përshkoi jugun dhe nisi në Fier, vazhdoi në Gjorm, më pas në Himarë, Borsh, Sarandë, Gjirokastër, ka qenë në memorien time i paprecedent në dy dekadat e fundit. Ishte, mund ta quajmë, turi i entuziazmit, optimizmit dhe vendimit të jugut të Shqipërisë për t’u ndarë me të keqen e madhe që tani po e quajnë universalisht Edi Rama.
Kthehem mirënjohës pafundësisht ndaj atyre mijëra e mijëra qytetarëve me të cilët komunikova në sheshe, lokale, rrugët e këtyre qyteteve.
Kthehem me një optimizëm të madh nga ajo situatë e elektrizuar që gjeta — e pashoqe në takimet masive dhe në bisedat që pata gjatë këtij turi me të rinj, burra, gra, njerëz të profesioneve të ndryshme, e prej origjinave të ndryshme etnike — pensionistë, profesionistë.
Mund të them se programi i PD është sot programi më i shkëlqyer që kjo forcë politike ka paraqitur ndonjëherë para shqiptarëve.
Konstatova me dhimbje të madhe se jugu lëngonte nga mungesa e qindra mijëra të rinjve që ishin larguar nga ato zona.
Duhet të dini një gjë: nëse largohemi pak kilometra nga bregdeti, në zonat e jugut fillon një shkretëtirë në raport me banorët. Një pakësim jashtë imagjinate.
Shkolla të mbyllura, klasa kolektive me pak nxënës. Qendra shëndetësore me dyer të mbyllura, me ferra. Mungesë mjekësh, mungesë shërbimesh.
E-Albania, kurthi më i keq i kohërave të Edi Ramës. E kam quajtur “telefoni i prishur”.
Jo, në jug zbulova diçka tjetër. Jo, ai ishte kurthi i gjobave. Çfarë ndodhte? Aplikonte banori nga jugu për të marrë dokumentet e tokës në e-Albania. Dy muaj heshtje mortore. Pas dy muajsh, pasi bëhej një lojë e tmerrshme psikologjike me pronarin e tokës, i vinte sekseri.
I thoshte: “Ke aplikuar aty? Atëherë, për një dynym tokë duhet të japësh 5 mijë euro. Për dynymin tjetër, edhe 5 mijë euro e më shumë.” Dhe, njësoj si Lubi Balluku që i ndan rrugët me lot, e-Albania ua ndante me dynym dokumentet e pronësisë së tokës pronarëve të tokave në jug. Atje, mungesa e të gjitha zyrave, shkatërrimi i qyteteve, heqja e administratës…
Por premtimet e mia ishin të qarta: kjo merr fund në 100 ditët e para. Në çdo rreth do të kthehen të gjitha zyrat siç kanë qenë në vitin 2013. Të gjitha shërbimet, pa përjashtim.
100 kilometra bën ai nga Himara për të shkuar në Vlorë. Jo. Bashkia do t’i ketë aty shërbimet.
Ky ishte një tur nga i cili njeriu kthehet mirënjohës, por edhe i trishtuar kur sheh gjendjen e atyre zonave mahnitëse, bukurive magjepsëse, trashëgimive kulturore unike, me braktisjen masive të tyre, me vjedhjen e madhe…
80 për qind e të rinjve që mbarojnë gjimnazet, largohen. Shqipërisë po i ikën rinia, dhe kjo fushatë, ky 11 maj është vendimtar për fatin e saj.
I përshëndes të gjithë ata qytetarë që më pritën me aq entuziazëm dhe i garantoj se çdo premtim që kam bërë para tyre do të shndërrohet në realitet, në mënyrë të padiskutueshme.”