POLITIKË

Berisha premton: Pas 11 majit, me PD në qeveri paga e mësuesve do të jetë 1200 euro

Partia Demokratike premton se në qeverisjen e saj, pas fitores në 11 maj, do të rritin pagat e arsimtarëve mbi mesataren e pagave që do të jenë 1200 euro. Në takimin me mësuesit në Kamëz, kreu i PD, Sali Berisha tha se kjo është pikë e rëndësishme e programit të PD për një trajtim të merituar të mësuesve.

“Shqipëria Madhështore’ është Shqipëria e arsimit madhështor, në të cilin mësuesi e mësuesja, do të jenë në piedestalin e nderit që u takon atyre për misionin e madh që kanë. Nuk ka mision më të madh, nuk ka mision më të rëndësishëm, më serioz se misioni i mësuesit. Ndaj dhe ne i rikthehemi përsëri besimit tonë tek arsimit. Ne i rikthehemi përsëri trajtimit dinjitoz të mësuesit dhe mësueses në Shqipëri. Nuk mund të ketë mësues me rrogë mesatare në Shqipëri”, tha kreu i PD, Sali Berisha.

Berisha tha gjithashtu se qeveria e ardhshme e PD do të 3-fishojë buxheti për arsimin dhe kërkimin shkencor, do të shtohen programe të tjera studimi.

“Do dyfishojmë buxhetin për arsimin. Kombi nuk ka asgjë më serioze se shkollimin. Sot buxheti për arsimin është qesharak. E premtoi 5%, a sa e premtoi, sot është 2.45%. Buxheti për shkencën, për kërkimin shkencor në Shqipëri është 57 herë më i ulët, se sa mesatarja e vendeve anëtare të OSBE-së. Është inekzistent dhe tani kryetari i shkencës në Shqipëri, u vetëshpall Edi Rama. Krijoi Këshillin Shkencor Kombëtar të kryesuar nga kryeministri. Ju garantoj se diktatori i Koresë së Veriut nuk është kryetar i Këshillit Shkencor të Koresë. I ka të gjitha, por nuk e ka marrë këtë funksion, siç e merr kreu i narkoshtetit shqiptar.

Investimi për shkencën, për arsimin e lartë do të shumëfishohet. Nga 11 mijë pedagogë dhe asistentë që kishte vendi në vitin 2013 sot janë përgjysmuar. Kanë ikur, kanë mbetur vetëm 6 mijë. Goditje e rëndë shumë. A kishte mundësi që ata të qëndronin edhe pse mund të binte numri i studentëve? Po kishte shumë mundësi, sepse ne kemi raportin pedagog-student e kemi të papranueshëm dhe atë ne duhet ta përmirësonim. Por alternativa e vetme për ta, mbeti largimi nga Shqipëria.

Së fundi para 1 viti goditi profesionet e lira, për të shpartalluar plotësisht shtresën e mesme të vendit. Ne qëndrojmë për një ‘Arsim Madhështor’ dhe ju garantoj ju se, jo vetëm buxhetet sipas arsimit parauniversitar, universitar, kërkimit shkencor do të 2-3 fishohen, por programe të tjera zhvillimi, përpjekje të tjera të mëdha do të bëhen që arsimi dhe shkenca ti prijë përjekjeve të shqiptarëve për ‘Shqipërinë Madhështore’” – tha Berisha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button