E marta e zezë dhe çmenduria e mediave

Nga Artan Cena – E marta e 28 tetorit do të mbetet gjatë në kujtesën e shqiptarëve si një nga ditët më të përgjakshme dhe më të errëta të viteve të fundit.
Brenda pak orësh, vendi u trondit nga ngjarje tragjike që morën tre jetë njerëzish: dy të rinj humbën jetën në aksidente të ndryshme, njëri prej tyre i përplasur për vdekje nga një Porsche që drejtohej nga një person në gjendje të dehur, ndërsa një atentat me tritol plagosi rëndë një zyrtar shteti, duke rikthyer në kujtesë skenat e një vendi ku jeta njerëzore ka humbur çdo vlerë.
Por tragjedia njerëzore, që në çdo vend normal do të sillte një zie kombëtare dhe një reagim të fortë nga institucionet, në Shqipëri u përball me një tjetër realitet: heshtjen dhe deformimin e ngjarjeve. Sepse për qeverinë e Edi Ramës, duket se jeta e njerëzve nuk ka më asnjë kuptim, veçse si statistikë për t’u mbuluar me fjalë boshe dhe raporte ‘teknike’.
Pa u tharë ende gjaku i viktimave, makineria e propagandës qeveritare u vu në lëvizje me një shpejtësi të frikshme. Mediat e kontrolluara nga pushteti, ato që çdo ditë bëjnë detyrën e ‘lavruesve të imazhit të liderit’, nisën menjëherë fushatën për të relativizuar ngjarjet dhe për t’i hequr çdo përgjegjësi shtetit.
Që në mesditë, kronikat e tyre nisën të artikulojnë ‘shkakun’ e përbashkët të gjithë krimeve e ngjarjeve tragjike të asaj dite: çmendurinë. Sipas versionit që u përhap si me urdhër, shqiptarët paskëshin hyrë në një periudhë ‘çmendurie kolektive’, ku askush nuk po kontrollonte më veten, dhe dhuna, krimi e vetëvrasjet janë thjesht pasojë e kësaj ‘gjendjeje psikologjike kombëtare’.
Një alibi e re për të fshehur dështimin e shtetit. Sepse, po të ndjekësh këtë logjikë, askush nuk është fajtor për asgjë, as policia që nuk patrullon, as drejtësia që mbyll dosjet, apo pushteti që ka lënë njerëzit në mjerim dhe qytetet në kaos.
Sipas tyre, gjithçka është pasojë e ‘çmendurisë’ së shoqërisë shqiptare.
Por e vërteta është krejt tjetër.
Në një vend ku papunësia, varfëria, pabarazia dhe pasiguria janë bërë norma të përditshme, nuk është populli që është çmendur, është shteti që ka braktisur qytetarin.
Është një sistem që ka pushuar së funksionuari prej vitesh dhe që nuk i ofron më njeriut asnjë rrugë për dinjitet, përveç përuljes ndaj pushtetit apo arratisjes jashtë vendit.
Në Shqipërinë e sotme, ku çdo ditë dëgjon për vrasje, aksidente, vetëvrasje, përplasje me armë, shkaku nuk është çmenduria, por mungesa totale e drejtësisë, e ligjit, e institucioneve që mbrojnë jetën.
Është varfëria që shtyhet nën rrogoz me propagandë, është padrejtësia që mbulohet me spektakël, është dhimbja që maskohet me humor të zi në televizione.
Propaganda e qeverisë ka zgjedhur rrugën më shpejtë dhe të lehtë për të: të fajësojë qytetarët, në vend që të pranojë dështimin e plotë të politikave të saj.
Ajo thotë se ‘njerëzit janë çmendur’. Kjo është formula e pushtetit për të shpëlarë duart nga përgjegjësia: një shtet që ka humbur kontrollin mbi gjithçka, tashmë kërkon të bindë qytetarët se problemi nuk është qeverisja, por shoqëria.
Në të vërtetë, çmenduria e vërtetë është ajo e pushtetit, një pushtet që ka humbur kontaktin me realitetin, që beson se propaganda mund të mbulojë çdo gjak, çdo varr, çdo tragjedi.
Çmenduria është të mendosh se mund t’i bësh njerëzit të harrojnë se jetët po humbasin përditë në rrugë, në punë, në spitale, në emigrim, vetëm sepse shteti nuk funksionon.
Ndërsa mediat përpiqen t’i japin ngjyrë ‘psikologjike’ krimeve, shqiptarët e ndjejnë çdo ditë në kurriz se kriza nuk është në kokat e tyre, por në majën e shtetit.












