AKTUALITET

Emrat/ Ndihmuan Talo Çelën të fshihej, ekstradohen nga Dubai 3 miqtë e tij 

Ervis Daka, Maksim Koçi dhe Ado Xhika, të akuzuar si anëtarë të organizatave kriminale të Suel Çelës apo Çopjave në Elbasan, janë sjellë nga Dubai në Tiranë. 

Autoritetet e Dubait gati 40 ditë pas arrestimit më 8 maj deportuan 3 të akuzuarit për anëtarë organizatash kriminale si dhe për përkrahje të të shumëkërkuarit Talo Çela. Ardhja nga Dubai u bë tranzit nga Stambolli. Të tre shtetasit e ekstraduar iu dorëzuan Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Ervis Daka, 38 vjeç, akuzohet për tentativë vrasjeje, sigurim i kushteve për vrasje në dy atentate të rënda në dëm të Kei Pikut dhe Arjan Spahiut në vitin 2020. Në rastin e Pikut ishte informator për lëvizjet, ndërsa te Spahiu në Belgjikë siguroi kushtet për eliminim. Daka akuzohet se strehoi Talo Çelën në kërkim.

Maksim Koçi dyshohet për vrasjen e dy personave si dhe siguroi kushtet për vrasjen e 2 të tjerëve, përfshirë ndihmën për fshehjen e Talo Çelës. I treti, Ado Xhika, 40 vjeç, është nën akuzë për përkrahje të autorit të krimit si pjesë e grupit kriminal për eliminim e Ardian Çapjas, gjatë sulmit me snajper, të cilit mundi t’i mbijetojë. Xhika, për 2 vjet me radhë ka ndihmuar Talo Çelën të fshihet, ndërsa në 2020-ën shoqëroi një gazetar me qëllim intervistimin e të shumëkërkuarit.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të bashkëpunimit ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Abu Dhabit, në kuadër të operacionit ndërkombëtar, të koduar “The Wanted”, u finalizuan procedurat për ekstradimin në Shqipëri, të shtetasve shqiptarë, të shpallur në kërkim ndërkombëtar:

-E. D., 38 vjeç, të cilit GjKKO-ja, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal;

-M. K., 39 vjeç, të cilit GjKKO-ja, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer për interes dhe hakmarrje, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal;

-A. Xh., 40 vjeç, të cilit GjKKO-ja, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button