“Fisnikët” me kostum e kollare degjenerojnë në sherr e dhunë (foto e video)

Pijet dhe atmosfera festive në diell dolën jashtë kontrollit për disa prej të pranishmëve në Royal Ascot, teksa festimet degjeneruan në një përleshje të përgjakshme mes dy të rinjve.

Një video tronditëse e publikuar online tregon dy burra të veshur me kostume elegante duke goditur njëri-tjetrin me grushte në mënyrë brutale gjatë eventit prestigjioz në Berkshire. Në një moment, ata kapen për krahësh, përpara se njëri të rrëzohet përtokë pasi goditet sërish.
Spektatorët e habitur nuk arrijnë të ndërhyjnë menjëherë, por një grup burrash përpiqet të ndalojë sherrin duke bërtitur: “Ndalo, ndalo, djem!”

Njëri prej të përfshirëve, me kostum gri, largohet me forcë nga vendi i ngjarjes, ndërsa tjetri ngrihet nga toka me fytyrën e mbuluar nga gjaku dhe pantallonat e njollosura, ndërsa duket se i bërtet kundërshtarit.
Nuk dihet ende se çfarë ka ndodhur para apo pas sherrit. Policia e Thames Valley ka konfirmuar se është në dijeni të ngjarjes dhe ka nisur një hetim.

Një zëdhënës i policisë tha: “I lutemi çdokujt që njeh personat në video të kontaktojë me ne, pasi mund të kenë informacion të rëndësishëm. Na telefononi në 101 duke cituar referencën 43250306653 ose raportoni online. Alternativisht, mund të telefononi anonimisht organizatën Crimestoppers në 0800 555 111.”
Edhe vitin e kaluar, një sherr i ngjashëm ndodhi në Royal Ascot, ku një pjesëmarrës përfundoi i mbuluar me gjak pasi dy burra u rrokën për toke. Njëri u ndalua nga kalimtarët ndërsa përpiqej të godiste tjetri, që kishte mbetur përtokë.

Ndërkohë sot, në ditën kulmore të kalendarit të garave me kuaj, të ftuarit parakaluan me veshje elegante dhe kapele ekstravagante për të sfiduar vapën 28 gradëshe.
Përveç garave emocionuese si Coronation Stakes dhe Commonwealth Cup, vëmendje të madhe tërhoqi edhe ardhja e Mbretit Charles III dhe Mbretëreshës Camilla me karrocë tradicionale. Ata u shoqëruan nga Lady dhe Lord Cavendish, ish-emiri i Katarit Sheikh Hamad, Marchioness e Lansdowne dhe kompozitori L.
Në mesin e të ftuarve ishin edhe Princesha Eugenie dhe Zara Tindall, të cilat shfaqeshin të buzëqeshura në bisedë me Madhërinë e Tij. Eugenie kishte veshur një veshje të bardhë me kapelë, ndërsa Zara një kostum blu të lehtë.

Në garat kryesore, kuaj dhe kalorës dhanë maksimumin për të fituar çmimet. Time for Sandals fitoi Commonwealth Cup me kalorësin Richard Kingscote, i cili u shpreh: “Jam shumë i lumtur që pata këtë mundësi. Ajo bëri një garë të shkëlqyer.”
Ndërkohë, Venetian Sun, nën drejtimin e Clifford Lee, fitoi në garën Albany Stakes, duke lënë pas Signora-n, kuaj që konsiderohej favorite, por nuk e përmbushi pritshmërinë.
Dje, pas përfundimit të “Ladies Day” – dita më e nxehtë e vitit deri tani – disa pjesëmarrës u panë në gjendje të rënduar për shkak të alkoolit dhe vapës përvëluese. Tradita e “Ladies Day”, që daton që nga viti 1823, vazhdon të mbledhë gra të veshura me elegancë të veçantë, edhe pse nuk ka një çmim zyrtar për më të bukurën.
Në fund të ditës, në garën madhështore Gold Cup, fitorja i takoi Trawlerman, nën drejtimin e kalorësit William Buick. Kali, që nisi karrierën gjatë pandemisë dhe ishte shaluar më parë edhe nga Frankie Dettori, dominoi garën që prej fillimit dhe nuk ktheu më kokën pas.
Policia ka qenë e pranishme gjatë gjithë kohës në qytetin e Berkshire për të ruajtur rendin, por incidentet si ai i përleshjes për fat të keq vazhdojnë të errësojnë imazhin e një eventi tradicional britanik.