POLITIKË

Fitoi mandatin e deputetes në Tiranë, reagon Jorida Tabaku

Kandidatja e PD-së për qarkun e Tiranës, Jorida Tabaku ka reaguar pas fitores së mandatit të deputetes në zgjedhjet e 11 majit. Ajo ishte e vetmja që doli nga lista e hapur e PD-së duke rivalizuar me mjekun Ilir Alimehmeti, të cilin e ka falënderuar në mënyrë të veçantë.

“Falënderime pa fund për këdo që më votoi, që më mbështeti dhe që ishte me mua në këtë sfidë të radhës, e cila për të thënë të drejtën nuk ishte aspak e lehtë. Mirënjohje çdo demokrati që punoi, trokiti në çdo derë dhe më shoqëroi në çdo ecje e në takime që nisnin në agim dhe përfundonin në mbrëmje, duke bërë të mundur që sot të kem këtë mbështetje!

U jam pafund mirënjohëse të gjithë demokratëve; anëtarëve, aktivistëve, komisionerëve, numëruesve, drejtuesve lokalë. Për lodhjen, sakrificën dhe forcën e besimit! Ju jeni Partia Demokratike! Së fundmi, falenderime nga zemra për familjen time; Saimirin dhe fëmijët, mamin, babin, Fisnikun dhe Lornën, si dhe familjen e madhe që ishte me mua deri në votën e fundit.

Fatkeqësisht nuk arritëm dot të sjellim rotacionin politik aq të nevojshëm për Shqipërinë, pasi ky sistem prodhoi edhe një garë të brendshme shpeshherë të padrejtë. Por përgëzime për të gjithë, veçanërisht për kolegun Alimehmeti, me të cilin ndamë sprintin e fundit të kësaj gare, për fushatën dhe mbi të gjitha, për qytetarinë” – shkruan Tabaku në rrjetet sociale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button