Flasin familjarët e shqiptarit të vrarë në Greqi: Telefonoi gruan pasi u qëllua

Kanë dalë detaje të reja nga vrasja e 41-vjeçarit shqiptar që u gjet i pajetë pas 18 orësh në një vresht në Rafina të Greqisë. Altin Arapaj u qëllua me një plumb ne fytyrë nga një i njohuri i tij. Përpara se të ndërronte jetë ai telefonoi bashkëshorten duke i treguar emrin e autorit.
Kushëriri i viktimës u tha mediave greke se si e mësuan lajmin.
Çfarë mund të them tani, jam në një gjendje të mjerueshme. Fjalët e tij të fundit ishin se telefonoi gruan e tij dhe i tha: “Filani më goditi në kokë me armë dhe eja të më gjesh. Kushëriri im ishte në fushë në atë moment, aty ku e gjetën sot.
Pardje kur shkuam… natën që ai telefonoi, po shikonim vendin ku u gjet telefoni, por nuk kishim parë në anën e sipërme ku u gjet sot. Ai e kishte qëlluar në faqe me armë. Autori i krimit ishte mik me kushëririn tim, ne të gjithë e njihnim.
Ata ishin ndarë kohët e fundit. Nuk kishin përplasje mes tyre. Nuk e dimë pse ndodhi kjo, nuk mund ta imagjinonim” – tha i afërmi i viktimës.
Sipas mediave greke, autori i dyshuar është identifikuar si Mikel Selimaj, 46 vjeç nga Vlora, person me precedentë penalë për drogë. Edhe viktima rezulton me precedentë penalë në Greqi për vepra të ndryshme. Policia greke ka nisur një operacion të gjerë për kapjen e autorit.