Nga Përparim Gjeka – Deri në vitin 1996 ata shqiptarë që kishin për të ikur për një jetë më të mirë jashtë shtetit e kishin bërë, ishin gjithë mundësitë për të ikur, qoftë me anije drejt Italisë, nëper male nga kufiri me Greqinë apo me viza të rregullta e të blera etj. Pra, mund të dalim në një konkluzion të përgjithshëm se ata që kishin mbetur thuajse e kishin ndarë mendjen që do të jetonin, punonin e zhvillonin vendin e tyre. Vendi në fakt po njihte zhvillim të mirë dhe po çlironte energjitë krijuese të shqiptarëve të mirë, të ditur e punëtorë pas një sërë reformash demokratike në ekonomi dhe sferën shoqërore. Goditja e parë ishte mosrespektimi i votës së përgjithshme në vitin 1996 dhe më pas trazirat e 1997ës pas rënies së piramidave financiare.
Atë vit brenda disa muajve të rënies së autoritetit të qeverisë, jo vetëm që ra ndjeshëm ekonomia, por u vra përfundimisht shpresa se vendi do kishte një zhvillim të qëndrueshëm normal si gjithë vendet e tjera post-komuniste.
Ato muaj të qeverisjes së bandave me kallash në dorë në fakt shpjegojnë gjithë tranzicionin tonë, me ikjen epike nga trojet tona, ashtu si nuk ka ndodhur kurrë më parë edhe në kohe lufte, as në historinë tonë as në historinë europiane, me tashmë gjysmën e popullsisë që e ka braktisur vendin.
Ato muaj çdo lagje qyteti dhe çdo fshat nxori në krye bijtë e vet më të fortë, më guximtarë, më të pashpirt deri në gjakësorë, të cilët u organizuan në banda e bënin terror të hapur për të treguar triumfin dhe supremacinë e tyre mbi popullsinë normale, nëse më parë kishin qenë inferiorë tani u kishte ardhur dita të vendosnin për rregullat e lojës së zonës së tyre të dominimit, deri të vendosnin kush do jetonte apo do vritej, cila vajzë do rrëmbehej nën grykën e pushkës dhe cila do shitej, cila shtëpi do qëllohej, do trembej apo do plaçkitej, kujt do i vihej syri për t’u bërë ushtar i tyre qoftë me joshje për aventurë, për para etj., qoftë me kanosje.
Atyre do u afroheshin vetë persona të cilët do kenaqnin egot e tyre perverse me pushtetin e bandës për të larë ndonjë hesap personal e benefite të tjera. Bandat krijuan emër për brutalitetin e tyre dhe kujdeseshin që të gjithë ta merrnin vesh mirë se sa të rrezikshëm ishin. Duke krijuar panik në popull ata krijonin pushtet. Ato muaj ata të vrisnin vetëm pse po kaloje në rrugë para tyre e mund ti shihje në sy, sepse një shikim e konsideronin si një karshillëk ndaj pushtetit të tyre pakufi. Si ka mundësi që nuk na e kanë frikën edhe pse u kemi bërë kaq shumë të zeza? – gjykonin ata.
Një grup horrash ordinerë e kujtonin veten liderë të lagjes, qytetit apo fshatit, derisa nuk kishte një tjetër bandë që të pretendonte territorin e tyre. Nëse kjo banda tjetër shfaqej, këta nuk e pranonin dhe do bëhej një luftë për matje forcash kush të dominonte, Gaxhai apo Gaxhoi, edhe pse në këtë luftë plumbat qorrë vranë shumë të pafajshëm, edhe plot nga anëtarët e bandave. Nëse pas disa viktimash nga radhët e tyre i frikësoheshin kundërshtarit, këto banda vepronin në kombinim me njëra tjetrën, kur dukej njëra, zhdukej tjetra. Nëse dilte ndonjë bandë e re, njëra apo të dyja këto bashkë e luftonin.
Tani njerëzit e ndershëm, punëtore, apo intelektualë, ç’mund të bënin? Të gjithë ishin të rrezikuar se një pazar nuk e bënin dot pa frikë, më të rrezikuarit ndoshta ishin arsimtarët e këtyre kur ishin fëmijë të mbrapshtë, të cilët mund t’u kishin futur ndonjë shpullë në shkollë. Burra me një barrë mend, me peshë, me mustaqe dhe me namuz para këtyre fundërrinave morale të shoqërisë nuk kishin asnjë peshë më, nuk përfilleshin e madje mund të fajësoheshin nga populli pse nuk mblidheshin të hiqnin qafe këta horra. Dmth. u kerkohej të bëheshin më horra se horrat, sepse vetëm kështu mund të hiqeshin qafe bandat, nuk njihnin asnjë logjikë tjetër.
Të terrorizuar, të nëpërkëmbur, të pambrojtur nga shteti i tyre shumica e popullit në ato muaj e ndau mendjen për të ikur nga sytë këmbët, sa më larg bandave, rrëmujës dhe plumbave qorrë… Dhe shqiptarët filluan të ikin në masë. E kuptoni pra se pse vazhduan të ikin e vazhdojnë akoma? Sepse bandat e te fortëve të lagjes janë aty, u zëvendësuan me horra politikë, në vend të bandave lexoni parti politike në pushtet dhe shikoni të njëjtat veprime, me ndryshimin se janë bërë më të pangopur e më gjakpirës derisa vazhdojnë e ikin më shumë njerëz.
Po rrëmbejnë e po shesin me ligj pasuritë tona nga nafta te Butrinti, po rrëmbejnë e po shesin vajzat tona, djemtë tanë në emigrim, po na vjedhin të ardhmen e tyre, shpresën tonë, njësoj si në 1997. Dhe ne ikim, ikim… ikim larg nga pushtuesit e vendit tonë, larg tokës së të parëve tanë…
Tani na thonë të mos kalojmë as rrugës së lagjes më të rrezikshme të Europës, Shqipërisë sonë, sepse po kaluam dhe i pamë në sy duke kërkuar votën tonë dhe përfaqesuesit tanë në Parlament e qeveri, të arsimuar në Perëndim, do shkrehin karikatorin e kallashit të na shuajnë njëherë e mirë dhe ata të dominojnë të qetë lagjen me servilat e tyre, me anëtarët e tyre dhe të nënshtruarit e tyre. Ata nuk njohin logjikë tjetër përveç kallashit, duke provuar një nivel intelektual e social të barabartë me Gaxhain dhe Gaxhoin.
Imagjinoni sikur Gaxhai të ishte sot kryeminister se po te vazhdonte ajo kohe, ai ishte më i zoti, njësoj si kjo kohë që ka një kryeminister me tre klase shkollë më shumë, por me atë vendosmëri për të zhdukur kundërshtarin, me atë zemërguritet kur sheh viktimat e tij që vuajnë, me atë etje për të zotëruar dhe përdorur çdo gjë me vlerë rreth tij, me atë indiferentizëm e cinizëm ndaj atyre që kanë ikur, kur thotë që ikin nga e mira dhe jo nga e keqja, me të njejtin rezultat “qeverisjeje”, shpopullimin.
Si do t’i heqim keto banda ordinere që po na përndjekin?