Një organizatë e trafikut ndërkombëtar të droġës e përbërë nga shqiptarë dhe rumunë është goditur në një operacion të policisë italiane. Sipas hetimeve përtej detit, banda në fjalë vepronte prej vitesh mes Firences dhe Pratos. Mediat italiane shkruajnë se grupi i trafikantëve e siguronte lëndën narkotike në Amerikën e Jugut.
Policia italiane sekuestroi 5 kilogramë kokainë, 100 kilogramë hashash, por edhe 676 mijë euro të gjetura të fshehura. Banda shqiptaro rumune e kishte fshehur drogën brenda rafteve metalike. Në pranga kanë rënë 5 persona të grupit, por emrat e tyre nuk janë bërë të ditur. 2 nga të arrestuarit u lanë në burg ndërsa 3 në arrest shtëpie.
Hetuesit thanë se kishin mbajtur nën vëzhgim disa anëtarë të grupit, ndërsa mundën të dokumentojnë aktivitetin e tyre që prej vitit 2021. Hetimet zbuluan se banda kishte krijuar një bazë operacionale në Prato dhe se ishte në gjendje të sillte sasi të mëdha kokaine, hashashi dhe marihuane në zonën e Firences dhe më pas ta rishiste drogën në të gjithë Toskanën.
Shoqata kriminale ishte e strukturuar në mënyrë të tillë që të kujdesej për çdo fazë: nga furnizimi i lëndës narkotike, transporti, si dhe përpunimi i drogës deri te tregtia me pakicë. Banda kishte demonstruar një stabilitet të fortë me kalimin e kohës, duke vijuar të mbetet shumë aktive edhe pas disa arrestimeve dhe rrëmbimeve që kishte pësuar. Anëtarëve të bandës iu gjetën edhe 2 pistoleta dhe 500 gëzhoja të kalibrit 9×21.