Historia prekëse e 80-vjeçarit nga Ruzhdija/ Mban i vetëm familjen, kujdeset për djalin me aftësi të kufizuara dhe rrit dy nipërit jetimë

Ruzhdijë – Në një banesë të thjeshtë në fshatin Ruzhdijë të bashkisë Patos jeton 80-vjeçari Xhemil Karari, një burrë që prej më shumë se një dekade mban mbi supe një barrë që do ta kishte të vështirë ta përballonte edhe një familje e tërë. Ai është njëkohësisht kryefamiljar, kujdestar, infermier dhe prind për djalin e tij me aftësi të kufizuara, ndërsa kujdeset edhe për dy nipërit që kanë mbetur jetimë nga nëna.
Me lot në sy, Xhemili rrëfen historinë e familjes së tij. Ai tregon se ka katër fëmijë, dy djem dhe dy vajza. Tre prej tyre kanë krijuar familjet e tyre dhe jetojnë në emigracion, ndërsa djali më i vogël, Juliani, 47 vjeç, është invalid i grupit të dytë dhe nuk është në gjendje të kujdeset për veten.
Një tragjedi që nisi vite më parë
Sipas Xhemilit, gjithçka ndryshoi gjatë viteve të trazuara 1997–1998. Në përpjekje për të emigruar drejt Greqisë, djali i tij dë bashku me disa të tjerë ranë pre e dhunës dhe grabitjeve, si në territorin shqiptar ashtu edhe në kufirin grek. Pas një dhunimi të rëndë, gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua ndjeshëm. Vizitat dhe trajtimet mjekësore nuk arritën ta rikthenin në gjendjen e mëparshme dhe sot ai është i shpallur invalid i grupit të dytë.
Si të mos mjaftonte kjo, disa vite më parë bashkëshortja e Julianit ndërroi jetë pas një sëmundjeje të rëndë, duke lënë jetimë dy fëmijët e tyre, një djalë dhe një vajzë në moshë të mitur. Edhe bashkëshortja e Xhemilit ka ndërruar jetë rreth 10 vite më parë, çka e ka lënë të moshuarin të përballojë i vetëm të gjitha vështirësitë e familjes.
“Jam bërë edhe baba, edhe nënë”
Çdo ditë, 80-vjeçari punon tokën, kujdeset për bagëtitë, përgatit ushqimin, lan rrobat, pastron shtëpinë dhe njëkohësisht kujdeset për djalin e sëmurë. Ai e ndihmon të lahet, ta ndërrojë, t’i japë ilaçet dhe të përballojë çdo nevojë të përditshme.
“Është shumë e vështirë për moshën që kam, por nuk kam zgjidhje tjetër. Duhet ta mbaj familjen gjallë,” shprehet ai.




Të ardhurat nuk mjaftojnë
Xhemili tregon se merr një pension prej rreth 120 mijë lekësh të vjetra, ndërsa djali përfiton pagesën e KEMP-it. Dy nipërit jetimë marrin gjithashtu mbështetje financiare nga shteti, por, sipas tij, ajo është shumë më e ulët se sa u takon.
Ai shprehet se, sipas legjislacionit, fëmijët jetimë duhet të përfitojnë bursë më të lartë, por aktualisht marrin vetëm rreth 250 mijë lekë të vjetra, shumë që nuk mjafton për të përballuar shpenzimet.
Me një pension modest dhe ndihmën që përfiton djali, Xhemili thotë se të ardhurat nuk mjaftojnë për të përballuar shpenzimet e pesë anëtarëve të familjes, sidomos ato të shkollimit të dy nipërve. Ai tregon se ka qënë disa herë në Këshillin bashkiak Patos është ankuar por askush nuk i ka dëgjuar ankesat e tij. Ligjet i njef mirë se 10 vjrt ka qënë anëtar i këshillit komunës Ruzhdie. ” Nuk mundë të marri bursë fëmija i një mësuese me të ardhura 700 mijë lekë të vjetra në muaj para nipërve të mi që kanë të atdhura as 300 mijë lekë të vjetra në muaj”, pohon 80 vjeçari.
Në moshën 80-vjeçare, ai punon tokën, kujdeset për bagëtitë, gatuan, lan rrobat dhe asiston çdo ditë djalin e sëmurë.
Xhemili flet i revoltuar për padrejtësinë kur thotë se kam qënë i majt, kam votuar socialistët dhe Edi Ramën, por nuk i meriton kjo qeveri as votat e familjes time dhe as të socialistëve të thjeshtë.






Përmes kësaj historie, ai u bën apel institucioneve që të shtojnë mbështetjen për familjet në vështirësi, në mënyrë që nipërit e tij të mos ndërpresin shkollën për shkak të pamundësive ekonomike
Të pyetur bashkia Patos pohon se janë shimë kërkesa për bursë afro 80, por fondi i ulët që u akordohet trajtojnë vetëm 15 familje, mundohemi që ata më të dobtit të marrim sadopak ndihmë. Gjëndjen e dimë por buxhet nuk kemi, pohuan ata.
Apel për ndihmë
Situata është bërë edhe më e vështirë pasi nipi ndjek shkollën e mesme industriale “Petro Sota” në Fier dhe vetëm transporti i kushton familjes rreth 95 mijë lekë të vjetra në muaj. Edhe mbesa vijon shkollën e mesme në Patos, duke shtuar më tej shpenzimet e familjes.
Në fund të rrëfimit të tij, Xhemil Karari u bën apel institucioneve shtetërore që të rishikojnë mbështetjen financiare për familjet në kushte të tilla, në mënyrë që nipërit e tij të kenë mundësi të vazhdojnë shkollimin dhe të ndërtojnë një të ardhme më të mirë, ndërsa ai të mund ta përballojë me dinjitet barrën e rëndë që mban prej vitesh./ALB365










