Bien sipërfaqet e mbjella me kultura të stinës. Shkak subvencionet dhe malli i importit. (foto e video)

Fier– Vjeshtë, toka po mbetet djerrë, fermerët heqin dorë nga mbjelljet për shkak të mungesës së përkrahjes dhe mbushjes së tregjeve me prodhimet e huaja.
Në zonat bujqësore të Pojanit dhe Ndërmënasit në bashkinë Fier, këtë vit vihet re një rënie e ndjeshme e sipërfaqeve të mbjella me kultura të stinës. Fermerët thonë se arsyet janë të shumta, por mbi të gjitha ekonomike. Rritja e çmimit të karburantit, e cila rrit automatikisht koston e punimeve bujqësore, mungesa e subvencioneve dhe mbushja e tregjeve me prodhime të huaja, kanë bërë që shumë prej tyre të mos shohin më leverdi në punën e tokës.
“Punojmë, harxhojmë, por në fund mbetemi me humbje,” shprehen fermerët, duke theksuar se mungesa e tregut dhe përkrahjes nga shteti po e çon bujqësinë drejt shuarjes. Prodhimet bio vendase zëvendësohen nga importet, shpesh me cilësi më të dobët, por me çmime më të ulëta, duke e bërë të vështirë konkurrencën për fermerët lokalë. Po i hedhim prodhimet tona në kanale sepse nuk shiten, tregjet janë plot me mall të ardhur nga importi dhe me çmime më të shtrenjta.








Ata theksojnë se mungesa e tregut dhe përkrahjes nga shteti po e çon bujqësinë drejt shuarjes, ndërsa prodhimet bio vendase zëvendësohen nga ato të importit, shpesh me cilësi më të dobët, por me çmime më të ulëta.
Në shumë parcela, dikur të gjelbra dhe plot prodhim, sot shihet vetëm tokë e papunuar.





Shpopullimi i zonave rurale dhe zhgënjimi i fermerëve po e kthejnë bujqësinë shqiptare në një sektor që mbijeton me vështirësi. Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente nga qeveria, që bujqësia të mos mbetet vetëm kujtim i së shkuarës.









