EKONOMI

INSTAT: 13% e territorit të vendit rezulton i braktisur nga 2011-2023, kryesojnë zonat malore

Një hartë e publikuar mbi zonat e braktisura nga 2011 në 2023, në kuadër të propozimeve të reformës se territoriale bazuar në të dhënat e INSTAT, tregon se fenomeni i braktisjes është i përhapur pothuajse në të gjithë vendin, por ai shfaqet më i theksuar në zonat malore, të thella dhe me dendësi të ulët popullsie. Sipas hartës si me poshtë sipërfaqja e klasifikuar si e braktisur arrin në rreth 13% të territorit, ose afërsisht 1,519 kilometra katrorë.

Vihet re se përqendrimi më i madh i zonave të braktisura është në veri dhe verilindje të vendit, në bashki si Tropojë, Kukës, Dibër, Mat, Mirditë, Fushë-Arrëz, Pukë dhe Malësi e Madhe. Në këto zona, njollat e kuqe që tregojnë braktisjen janë më të dendura dhe më të shpërndara në hapësira të gjera, çka sugjeron tërheqjen e popullsisë nga fshatrat dhe vendbanimet periferike.

Fenomeni është i dukshëm edhe në brezin qendror-lindor të vendit, duke përfshirë zona të Librazhdit, Elbasanit, Gramshit, Përrenjasit dhe Skraparit, si dhe në disa pjesë të Beratit e të Korçës. Edhe në jug, harta tregon prani të konsiderueshme të zonave të braktisura në bashki si Përmeti, Tepelena, Kolonja, Memaliaj, Gjirokastra dhe zona të tjera të brendshme.

Në krahun tjetër, korridori perëndimor dhe qendrat urbane më të mëdha paraqiten më pak të prekura nga braktisja. Zona me dendësi më të lartë popullsie, si Tirana, Durrësi, Fieri dhe pjesë të bregdetit, shfaqin grumbullime më të forta të popullsisë dhe relativisht më pak sipërfaqe të braktisura në bërthamën e tyre, edhe pse në periferi dhe në njësitë më të largëta shfaqen sërish vatra braktisjeje.

Harta konfirmon një zhvendosje të vazhdueshme të popullsisë nga zonat rurale, malore dhe me akses më të dobët drejt qendrave urbane dhe ultësirës perëndimore.

Braktisja e rreth 13% të territorit të vendit është pasojë e një sërë faktorësh ekonomikë dhe demografikë. Shkaku kryesor lidhet me tkurrjen ekonomike të fshatrave dhe zonave malore, ku mungesa e mundësive për punësim dhe vështirësitë në sigurimin e të ardhurave e bëjnë jetesën e përditshme të pamundur për banorët.

Kjo situatë rëndohet ndjeshëm nga mungesa e shërbimeve thelbësore publike, si infrastruktura rrugore e amortizuar, mungesa e transportit publik, si dhe vështirësitë në aksesimin e kujdesit shëndetësor dhe arsimit cilësor në zonat e thella.

Emigracioni i lartë dhe largimi masiv i popullsisë, veçanërisht i shtresës së re, drejt qendrave urbane brenda vendit apo jashtë shtetit kanë lënë pas zona të tëra të boshatisura. Plakja e popullsisë në këto rajone ka përshpejtuar rënien demografike, duke sjellë shuarje natyrore të vendbanimeve.

Kjo ecuri ka krijuar polarizim territorial, ku përqendrimi i investimeve, zhvillimit dhe mundësive ekonomike në korridorin perëndimor dhe në qendrat e mëdha urbane ka tërhequr popullsinë, duke lënë pas në harresë të thellë fshatrat dhe zonat periferike./ Monitor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button