AKTUALITETTOP-NEWS

Në ditën e 9-të të grevës së urisë, rëndohet shëndeti për 3 grevistë naftëtarë

Naftëtarët e Sindikatës së Hidrokarbureve në Marinzë/ Fier janë tashmë në ditën e 9-të të grevës së urisë, duke vijuar protestën e tyre pa kompromis për plotësimin e kërkesave ekonomike dhe sociale. Ndërsa numri i grevistëve pritet të rritet në ditët në vijim, situata shëndetësore e 3 prej tyre, përfshirë Dorian Dyrmishin, ka filluar të shqetësojë seriozisht.

Grevisti Dyrmishi ka paraqitur probleme serioze me tensionin, i cili është regjistruar në nivelin 17 me 12, duke bërë të domosdoshme ndërhyrjen e ekipit mjekësor që ka mbërritur në vendin e protestës për të monitoruar gjendjen e tyre. 

Me probleme shëndetësore janë

Grevisti Dritan Rrapushi, me tensionin te ulët
Dorian Dyrmishi tension i lartë 17/12
Eduard Selami tension i lartë 18/10 – Dërgohet në spital

Ende pa zgjidhje

Burimet bëjnë me dije se gjatë takimit të fundit me përfaqësuesit e kompanisë Bankers Petroleum, kërkesat kryesore të naftëtarëve nuk janë pranuar ende. Kompania ka rënë dakord vetëm për rritjen e normës së antidotës ushqimore, një masë që grevistët e konsiderojnë të pamjaftueshme për të adresuar shqetësimet e tyre.

Grevistët kanë shprehur vendosmërinë për të vijuar grevën e urisë deri në plotësimin e kërkesave, ndërsa kanë paralajmëruar se numri i tyre do të rritet, duke nisur fazën e dytë të protestës me ngritjen e çadrave në oborrin e godinës së sindikatës për akomodimin e pjesëmarrësve të rinj.

Naftëtarët kanë bërë një apel të hapur për qeverinë shqiptare, duke kërkuar ndërmjetësim të menjëhershëm mes tyre dhe kompanisë Bankers Petroleum. Ata shpresojnë që me ndërhyrjen institucionale të mund të gjendet një zgjidhje e drejtë dhe e qëndrueshme për problemet e tyre, të cilat përfshijnë rritjen e pagave dhe përmirësimin e kushteve të punës.

Grevistët e urisë në sektorin e hidrokarbureve vijojnë betejën e tyre, duke treguar se janë të gatshëm të sakrifikojnë për të drejtat dhe dinjitetin e tyre profesional, ndërsa shoqëria dhe institucionet pritet të reagojnë për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të situatës.

Cilat janë kërkesat e naftëtarëve?

Grevistët kërkojnë përmirësimin e kushteve të punës, pagesa të dinjitetshme, trajtim të barabartë me punonjësit e tjerë të sektorit dhe zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme të nënshkruara me kompaninë.
1- Rritja e fondit te pagave me 18% kjo shume te shpërndahet për punonjësit e fushës.
2 – Arritja e trajtimit ushqimor nga 9 mijë lekë ne 13 e 200 lekë.
3- Zbatimi i ligjit te statusit te naftëtarit.
4- Drejtësi e barazi në shpërblime.
5-  Meritokraci në rritje në detyrë e pronovime

Çfarë dihet deri më tani?

Protestuesit e naftëtarëve të kompanisë “Bankers Petroleum” në Marinzë thonë se deri më tani nuk ka transparencë për kontratat ekzistuese, asnjë informacion zyrtar për një marrëveshje të ardhshme dhe se kjo mungesë komunikimi po i shtyn drejt grevës totale në rast se kërkesat e tyre nuk merren parasysh.

Ata theksojnë se janë të vendosur të ndalin punën deri në arritjen e një zgjidhjeje konkrete dhe një marrëveshjeje të re me punonjësit, ndërsa pritet reagimi i autoriteteve dhe i kompanisë për situatën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button