Kujdes/ “Prindër, ndryshoni menjëherë fjalëkalimet”

Ekspertët e sigurisë kibernetike kanë lëshuar një paralajmërim urgjent për prindërit, pasi të dhënat e miliona përdoruesve – përfshirë ato të lojës së famshme Roblox dhe platformës së bisedës Discord – janë përfshirë në atë që është cilësuar si “nëna e të gjitha rrjedhjeve të të dhënave”.
Studiuesit zbuluan një koleksion prej 30 bazash të dhënash të ekspozuara, që përmbajnë mbi 16 miliardë regjistra unikë, përfshirë fjalëkalime dhe të dhëna hyrjeje për platforma si Instagram, PayPal, Microsoft, Apple, madje edhe faqe qeveritare. Kjo përbën një “ëndërr për kriminelët kibernetikë”, paralajmëruan ata, pasi informacionet mund të përdoren për vjedhje identiteti, sulme phishing dhe marrje kontrolli të llogarive.
Veçanërisht shqetësues është fakti që ndër të dhënat e zbuluara janë edhe ato të Roblox, një lojë me 36 milionë përdorues të përditshëm, mbi 30% e të cilëve janë më të vegjël se 13 vjeç. Po ashtu, janë prekur edhe llogari në Discord, një platformë komunikimi e përdorur nga një e treta e adoleshentëve amerikanë. Ekspertët rekomandojnë ndryshimin e menjëhershëm të fjalëkalimeve, si dhe aktivizimin e verifikimit në dy hapa, për të mbrojtur fëmijët dhe të dhënat familjare nga sulme të mundshme.
