
Sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, pas takimit në selinë blu, është prononcuar për gazetarët ku ka komentuar publikimin e sondazheve të para për zgjedhjet e 11 majit, të cilat e nxirrnin me pak mbështetje.
Blushi tha se sonadezhet janë qesharake, duke shtuar se “po të mos ishte kjo fuqi elektorale e PL, Ilir Meta nuk do të ishte i arrestuar”.
Gjithashtu tha se objektivi kryesor është “rrëzimi dhe shembja nga themelet të narkoshtetit”, dhe se presidenti i PL-së, Ilir Meta, edhe nga qelia do t’i prijë betejës.
“Unë nuk kam përmendur asnjë numër mandatesh. Së dyti, çdo forcë që garon në zgjedhje, hyn për të fituar. Është objektiv legjitim. Sa u përket sondazheve, besoj edhe ju keni qeshur me to, sepse po të mos ishte kjo fuqi elektorale e PL dhe Ilir Metës, ai sot nuk do të ishte i arrestuar pa fakte dhe pa prova dhe nuk do të ishte rrëmbyer në mënyrë banditeske.
Objektivi kryesor i PL-së është rrëzimi dhe shembja nga themelet të narkoshtetit.
Zoti Meta edhe nga qelia numër pesë do t’i prijë betejës dhe PL për rrëzimin e narkoregjimit. PL do t’i qëndrojë në bllok rrëzimit të narkoregjimit”, tha Blushi.
I pyetur për largimet e eksponentëve të PL konkretisht për largimin e fundit të ish-drejtues i forumeve Rinore (LRI) për t’iu bashkuar PS, Blushi tha se “ka katër fushata zgjedhore që s’është më”.
Ndërsa për ish-deputetin e LSI-së, Endrit Braimllari tha: “Unë e kam dhënë një përgjigje për të dhe pyetjen duhet t’ia drejtoni sesi një ish anëtar i joni hyri në SPAK me tersen e PL dhe doli me atë të PS”.