SPORT

Mbappé, dhurata bujare për policët që shoqërojnë kombëtaren

Në vitin 2023, Kylian Mbappé bëri një dhuratë, një donacion për një komandant divizioni që punon prej shumë vitesh me kombëtaren franceze. Ajo “shenjë e vogël mirënjohjeje” është objekt i një procedure disiplinore dhe i një hetimi gjyqësor, edhe pse komandanti, i njohur si “Momo”, ka mbetur në detyrë dhe vazhdon të jetë pranë kombëtares që drejtohet nga Didier Deschamps.

Dhurata e Mbappé për shefin e sigurisë së kombëtares

Pa dashje, Mbappé është përfshirë në një situatë të ndërlikuar. Dy vite më parë, futbollisti i Real Madridit vendosi t’i dhurojë 60.300 euro një komandanti divizioni, përgjegjës për lidhjen dhe sigurinë e kombëtares franceze që prej vitit 2004. Mohamed S., i quajtur “Momo”, mori këtë dhuratë si shenjë vlerësimi për punën e bërë gjatë gjithë këtyre viteve. Kapiteni i “Bleus” gjithashtu ka dhënë nga një çek prej 30 mijë eurosh për secilin nga katër shefat e brigadave të ngarkuar me sigurinë e Francës në vitin 2023.

Një gjest i bukur nga ana e Mbappé, por që mund t’i kushtojë shtrenjtë komandantit, i cili tani është në qendër të një hetimi gjyqësor dhe të një procedure disiplinore. Ai është akuzuar se “ka shkelur detyrën e ndershmërisë dhe besnikërisë”. Për më tepër, thuhet se nuk u ka treguar asgjë eprorëve të tij. Por ekziston edhe një tjetër problem: nuk është ende e qartë nëse kjo shumë ka qenë vërtet një dhurim personal apo pagesë për një shërbim të mbrojtjes personale. Oficeri i policisë e kishte shoqëruar Mbappén gjatë verës së vitit 2023 në Kamerun dhe në Vaucluse.

Komandanti, në pritje të vendimit, vazhdon detyrën me Francën

Aktualisht, hetimi ndodhet në një fazë ngërçi. Avokatët e Mbappé kanë bërë të ditur se gjithçka është bërë në përputhje me rregullat dhe se nuk ka pasur asnjë shpërblim për shërbimet e kryera gjatë verës së 2023-shit. Pavarësisht hetimit, komandanti ka mbetur në detyrë, dhe kur futbollistët, Deschamps dhe stafi janë rikthyer në Clairefontaine, e kanë gjetur normalisht në vendin e tij të zakonshëm. Ai do të jetë me skuadrën edhe për dy ndeshjet e tetorit të Kualifikueseve të Botërorit 2026: atë kundër Armenisë që do të zhvillohet në Paris, dhe atë në fushën e Islandës javën e ardhshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button