Mbappe fiton “Këpucën e Artë” dhe trofeun “Pichichi”, ia mbyll gojën kritikëve

Pavarësisht një sezoni të vështirë për Real Madridin, Kylian Mbappe ka arritur të shkëlqejë në aspektin individual, duke fituar dy nga çmimet më prestigjioze për një sulmues: “Këpucën e Artë” dhe trofeun “Pichichi”.
Me një dopietë ndaj Real Sociedad në ndeshjen e fundit të sezonit, sulmuesi francez ka lënë pas në renditje golashënuesin e Sporting Lisbona, Viktor Gyökeres, dhe ka siguruar për herë të parë në karrierë “Këpucën e Artë”, e cila jepet nga “European Sports Media” që prej vitit 1997 për golashënuesin më të mirë të ligave europiane.
Mbappé e ka mbyllur sezonin e tij të parë në La Liga me 31 gola, duke fituar gjithashtu edhe çmimin “Pichichi” si golashënuesi më i mirë i kampionatit spanjoll.
Në vend të dytë për “Këpucën e Artë” u rendit Viktor Gyökeres me 39 gola, por francezi e kaloi falë koeficientit më të lartë të vështirësisë që u aplikua për La Ligën në krahasim me kampionatin portugez. Podiumin e plotësoi Mohamed Salah i Liverpoolit me 29 gola.
Ky sukses personal i Mbappe vjen si përgjigje e fortë ndaj kritikëve që e quajtën një “dwshtim” transferimin e tij te Real Madridi.