‘Premtuan bursa, por s’na dhanë asgjë’/ Apel nga komuniteti rom në Fier: Jepni pagesat

Viti i ri shkollor ka nisur me vështirësi të mëdha për komunitetin rom në Fier, ku dhjetëra fëmijë rrezikojnë të mbeten pas në arsim për shkak të mungesës së mbështetjes nga institucionet.
Panajot Alushi, kryetar i Shoqatës Rome në lagjen Drizë, ka ngritur alarmin se Bashkia Fier nuk ka kaluar bursat e premtuara për fëmijët romë, duke lënë familjet pa mundësi për të siguruar çanta, libra dhe mjetet e tjera të domosdoshme për shkollë.
Sipas Alushit, aktualisht rreth 15 fëmijë romë frekuentojnë shkollën nëntëvjeçare në fshatin Zhupan, por prindërit e tyre përballen me varfëri ekstreme dhe nuk kanë mundësi të përballojnë shpenzimet bazë për arsimin.
‘Viti shkollor ka filluar, por fëmijët tanë ende nuk kanë çanta dhe libra, sepse nuk kemi marrë asnjë mbështetje financiare nga bashkia, ashtu siç ishte premtuar. Ky është një diskriminim i hapur ndaj komunitetit rom dhe një goditje për të drejtën e arsimimit’, u shpreh Alushi.
Ai thekson se kjo situatë jo vetëm që pengon procesin mësimor, por rrit edhe rrezikun e braktisjes shkollore, një fenomen që prej vitesh e shoqëron këtë komunitet për shkak të kushteve ekonomike dhe mungesës së politikave efektive të përfshirjes sociale.

Shoqata Rome i bën apel institucioneve vendore dhe qendrore të ndërhyjnë menjëherë për të garantuar të drejtën e barabartë për arsim për çdo fëmijë, pavarësisht gjendjes ekonomike apo përkatësisë etnike.
‘Nëse nuk ka masa urgjente, këta fëmijë do të përjashtohen nga procesi arsimor, duke u lënë peng të varfërisë dhe diskriminimit’, shtoi Alushi.









