AKTUALITET

Merr flakë kondicioneri në një banesë në Fier, ndërhyjnë zjarrfikësit.

Fier – Një kondicioner ka marrë flakë brenda një banese në zonën e Sharrës, në Fier, duke alarmuar banorët dhe duke vënë në lëvizje shërbimet zjarrfikëse dhe Policinë.

Ngjarja është shënuar në lagjen pas shkollës “Penelope Piro”, ku pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë dy automjete zjarrfikëse.

Sipas burimeve nga reparti zjarrfikës, dyshohet se zjarri është shkaktuar nga një problem në linjën e vjetër elektrike të kondicionerit. Flakët janë konstatuar nga i zoti i banesës, i cili ka ndërhyrë menjëherë dhe ka arritur t’i shuajë ato.

Me mbërritjen në vendngjarje, forcat zjarrfikëse kanë ndërprerë furnizimin me energji elektrike dhe kanë hyrë në banesë për të kontrolluar situatën. Pas verifikimit, është bërë e mundur shuarja totale e çdo vatre të mbetur dhe eliminimi i rrezikut për përhapjen e zjarrit.

Më pas, furnizimi me energji elektrike është rikthyer, ndërsa kondicioneri që dyshohet se shkaktoi incidentin është nxjerrë jashtë funksionit.

Fatmirësisht, nga ngjarja nuk ka persona të lënduar, ndërsa janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Zjarrfikësit kanë këshilluar që pajisjet elektrike dhe veçanërisht instalimet e vjetra të kontrollohen periodikisht për të shmangur incidente të ngjashme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button