Mos u brengosni… nëse ndonjëherë flisni me vetveten!
Nëse flisni nganjëherë me veten tuaj, kjo nuk është shenjë e çmendurisë, por sipas shkencëtarëve britanikë nga departamenti i psikologjisë dhe neurologjik është shenjë e mendjes së shëndoshë.

Sipas një studimi të realizuar nga shkencëtarët britanikë në Departamentin e Psikologjisë dhe Neurologjisë, të folurit me veten është një proces natyral, që ndihmon në organizimin e mendimeve dhe në përqendrimin më të mirë të trurit.
Shumë prej nesh e kemi përjetuar këtë: është mëngjes, mungon motivimi, koka është ende në gjumë, ndërsa trupi refuzon të ngrihet nga shtrati. Dhe papritmas, një zë i brendshëm – që ndoshta e shprehni edhe me zë të lartë – ju thotë: “Hajde tani, ngrihu! Jepi, nisja ditës!”. Kjo formë vetëkomunikimi është veçanërisht e pranishme në situata që na stresojnë ose kur kemi nevojë për një shtysë psikologjike.
Realiteti është se shumica e njerëzve kanë një zë të brendshëm – ai që na kritikon, na motivon, na ngushëllon apo edhe na falënderon. Ky zë është pjesë integrale e përpunimit tonë mendor dhe emocional. Ai funksionon si një komentues i përhershëm i përvojave tona, që na ndihmon të kuptojmë më mirë veten dhe situatat përreth nesh.
Shpesh, pa e kuptuar, ky zë kalon nga mendja në fjalë – dalim nga bota e brendshme dhe shprehim me zë mendimet tona. Kjo ndodh pa vetëdije, dhe nuk është aspak për t’u shqetësuar, transmeton Telegrafi.

Në librin “My Stroke of Insight”, neuroshkencëtarja e njohur Dr. Jill Bolte Taylor thekson se të flasësh me veten nuk është as shenjë çmendurie dhe as ndonjë devijim psikologjik. Sipas saj, të folurit me zë të lartë ndaj vetes është një mënyrë që truri i vetëdijshëm përdor për t’i dhënë vetes udhëzime të qarta. Kjo formë e komunikimit i ndihmon njerëzit të përqendrohen më mirë dhe të strukturojnë mendimet më saktë.
“Ky është një instrument i rëndësishëm i trurit për vetë-rregullim,” shpjegon Dr. Taylor. “Kur i flasim vetes me zë, i japim vëmendjes një drejtim të qartë dhe ndihmojmë në reduktimin e kaosit të brendshëm.”
Pra, herën tjetër kur të ndiheni të pasigurt, të lodhur apo të hutuar – mos ngurroni t’i drejtoheni vetes me fjalë motivuese. Të flasësh me veten është një mjet i fuqishëm për menaxhimin e emocioneve, përqendrimit dhe zhvillimit personal.