Nga Berlini në Mynih, Luis Enrique rifiton Championsin për ëngjëllin Xana

Më 31 maj 2015, në stadiumin “Olympiastadion” të Berlinit, Luis Enrique fitonte Champions League për herë të parë si trajner i Barcelonës. Një nga kujtimet më të dashura të atij suksesi për trajnerin spanjoll është ai me vajzën e tij të vogël, Xana, e cila asokohe ishte vetëm 6 vjeç.
Me një buzëqeshje të pafajshme dhe flamurin e Barcelonës të bashkuar me atë të Katalonjës në duar, Xana e vogël e valëviti krenarisht para se ta nguliste në mes të fushës, nën sytë plot emocione të të atit.
Por jeta do të merrte një kthesë të dhimbshme. Në vitin 2019, Xana u nda nga jeta në moshën vetëm 9-vjeçare pas një beteje të shkurtër, por shumë të rëndë, me një formë të rrallë dhe agresive të kancerit në kocka, osteosarkoma.
“Për mua ajo nuk ka vdekur, ajo është gjithmonë me ne. Flasim çdo ditë për të dhe besoj se Xana na sheh nga diku lart,” tha kohët e fundit Luis Enrique, me emocion të ndjeshëm.
Vetëm disa ditë pas fitores së PSG-së ndaj Manchester City-t 4-2 në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve, Enrique u shpreh në një konferencë për shtyp para ndeshjes me Lens: “Mbaj mend një foto të pabesueshme nga finalja e Berlinit, kur Xana nguli flamurin e Barçës në fushë. Dua të bëj të njëjtën gjë me PSG-në. Vajza ime nuk do të jetë aty fizikisht, por do të jetë shpirtërisht.”

Sot, më 31 maj 2025, dëshira e tij është bërë realitet. Pikërisht dhjetë vite pas atij suksesi historik në Berlin, Luis Enrique ka fituar një tjetër Champions League, këtë herë me Paris Saint-Germain. Dhe sërish, një flamur u ngul në qendër të fushës, kësaj radhe në stadiumin Allianz Arena, si një homazh i heshtur, por shumë i fuqishëm. Pa dyshim, diku atje lart, edhe Xana e vogël ka bërë të njëjtën gjë.