
Levan – Në një Shqipëri që flet për zhvillim e reforma, realiteti i fshatit tregon një tjetër fytyrë. Në Boçovë të Levanit, aty ku dikur jeta pulsonte në çdo derë, sot dëgjon vetëm heshtjen. Pajtim Jarua është një prej shumë shqiptarëve që ka provuar gjithçka për të qëndruar në tokën e vet, por është lënë në mëshirë të fatit.
“U përpoq të ndërtonte një të ardhme në vendin e vet – fillimisht me blegtori, më pas me ndërtim, e sot si fermer. Por mungesa e politikave shtetërore, papërgjegjshmëria dhe shpërfillja e qeverive e kanë kthyer Pajtimin në një nga dëshmitarët më të dhimbshëm të braktisjes së fshatit shqiptar.”
“Çfarë të të them më parë?! U mora disa vite me blegtori, dështova. U mora vite të tjera me ndërtim, dështova. Ashtu si bashkëfshatarët, edhe fëmijët e mi ikën në emigracion për një jetë më të mirë. Dështimet, jo për fajin tim, por për shkak të politikave të qeverisë që nuk mbështesin biznesin dhe fermerin e ndershëm.”



Nisi me 10 lopë për të mbajtur familjen. Falimentoi sepse qumështi nuk kishte blerës. Çmimi i ulët, subvencione nuk kishte, e as kush t’ia merrte prodhimin. Pastaj u hodh në ndërtim – afro 50 milionë lekë investim që sot kanë mbetur hekurishte.
“Makineritë i bleva me shpresë, por na u ndryshkën. Rrugë për ndërtim s’kish, punë s’kish, dhe ato që i bleva tani mezi i marrin për skrap. Nuk na mbajti as ndërtimi, siç nuk na mbajti as bujqësia.”
Tani, në të 60-tat e tij, Pajtimi është kthyer në bujk. Ka dy hektarë tokë, por as kjo nuk mjafton për të jetuar. Uji mungon, tregu s’është, subvencionet – vetëm për ata që kanë “mbështetje” politike.
“Po falimentojmë. As për misër, as për grurë nuk ka treg. Ujë për vaditje mungon, kanalet s’i ka pastruar kush. Kemi mbetur mes katër rrugëve. Fëmijët janë larguar, nuk kthehen më. Këtu nuk ka as të ardhme e as shpresë.”
Pajtimi ka qenë edhe kryeplak i fshatit. Sot sheh me dhimbje sesi çdo shpresë lidhet vetëm me ardhjen e ndonjë politikani në fushatë. Pastrojnë një kanal, vendosin disa drita dhe ikin. Premtimet zhduken bashkë me to.



“Erdhi Belinda, pastruan një kanal, vunë dy drita dhe ikën. Ne të tjerët? Ja si na shikon… rrugë pa shtruar, pa ndriçim. Fshati po vdes dalëngadalë. Dhe bashkë me të, edhe shpresa jonë.”
Pajtim Jarua është një zë që flet për qindra të tjerë si ai. Është zëri i një Shqipërie që nuk ka zë në institucione. Është pasqyra e një fshati që braktiset përditë, ndërsa zyrat e shtetit flasin për zhvillim./Xhemil Beharaj/ ALB365