Sunday, June 23, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeEKONOMINga qershori, grumbulluesit do ulin me 15% çmimin e blerjes së qumështit

Nga qershori, grumbulluesit do ulin me 15% çmimin e blerjes së qumështit

Nga muaji qershor, blegtorët e fermave të vogla në Lushnjë dhe Fier janë lajmëruar për një rënie tjetër të çmimit të qumështit të lopës dhe të deles, që u grumbullohet nga fabrikat e përpunimit.

Sipas blegtorëve të zonës së Myzeqesë, qumështi i lopës nga fermat e mëdha dhe të mesme po grumbullohet me çmim 65 deri në 67 lekë pa TVSH për litër nga 78 lekë pa TVSH që ishte më parë. Ndërsa nga fermat e vogla, qumështi po grumbullohet me çmim 60 lekë pa TVSH për litër.

Blegtorët e fermave të vogla pohuan se nga muaji qershor janë lajmëruar nga grumbulluesit se qumështi i lopës do t’u blihet me 55 lekë për litër pa TVSH apo 15% më pak sesa shitet.

Rënie e çmimit është lajmëruar edhe për qumështin e deles, nga 120 lekë për litër pa TVSH që shitet aktualisht, çmimi pritet të bjerë në 100 lekë për litër pa TVSH apo 16% më pak.

Rënie e çmimeve të qumështit është lajmëruar edhe nga grumbulluesit e zonës së Korçës, sipas Taulant Pupës drejtuesit të fabrikës së përpunimit të qumështit “Vita 2001” në Nizhavec të Pogradecit.

“Është lajmëruar për një rënie të çmimit të qumështit të lopës nga 60 lekë në 57 lekë për litër pa TVSH, të deles nga 140 në 130 lekë për litër pa TVSH, dhe të dhisë nga 90 lekë në 80 lekë për litër pa TVSH ”, tha ai.

Ervin Resuli ekspert i bujqësisë pohon se çmimi i grumbullimit të qumështit të lopës 55 lekë për litër është i barabartë me koston ushqyese të kafshëve.

Sipas tij në ditë vetëm për ushqimin e një lopë fermeri shpenzon 1,200 deri 1,300 lekë, ndërsa fitimi neto, pa përfshirë kostot e fermerit për mbajtjen e fermës dhe shlyerjen e kredive, llogaritet të arrijnë deri 3 euro në ditë apo rreth 1 mijë euro në vit.

Ervin Resuli parashikon se rënia e çmimit të qumështit veçanërisht të të imtave do të sjellë tkurrje të tufave të bagëtive dhe falimentime te blegtorët.

“Në 2023 kur qumështi i të imtave i prodhuar nga fermeri u shit me çmime të larta prej 120 deri 180 lekë, shtoi numrin e krerëve të të imtave, pasi për fermerin ishte e leverdishme mbajtja e bagëtive. Për vitin 2024 kemi rënie të çmimit të qumështit të të imtave, por kemi edhe tkurrje të tufave të të imtave. Nëse fermeri e shet qumështin e deles apo të dhisë nën 140 lekë për litër, për të falimentimi është i garantuar”, nënvizon Resuli.

Në muajin prill për shkak të konfliktit me çmimet nga fabrikat nuk u ble qumësht te fermat e mëdha dhe të mesme. Të vetmit që shisnin qumësht me çmim 60 lekë pa TVSH për litër ishin fermat e vogla.

Ulja e çmimit të shitjes detyroi blegtorët të dalin dy herë në protestë, në mbrojtje të prodhimit tyre, duke kërkuar më tepër subvencione nga shteti shqiptar.

Pavarësisht uljeve të herëpashershme të çmimit, drejtuesit e fabrikave përpunuese pohojnë se çmimi i qumështit të lopës së prodhuar në vend është 38 cent për litër më i shtrenjtë sesa qumështi i importuar si lëndë e parë, nga Sllovenia, Serbia apo Hungaria, dukë përfshirë taksat dhe kostot e transportit.

Si për ekspertët dhe përpunuesit arsyeja kryesore e kostos së lartë të prodhimit vendas mbeten subvencionet e ulëta në vend krahasuar me rajonin./ Monitor

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME