“Një në 3 fëmijë me posturë skoliotike”

Skolioza, apo devijimi anësor i shtyllës kurrizore, është një fenomen shumë i përhapur te fëmijët, sidomos në moshën e adoleshencës.
Sipas fizioterapistit Endri Mone, skolioza idiopatike nuk ka një shkak të njohur, por ama të dhënat tregojnë se një në tre fëmijë rrezikon të ketë skoliozë dhe se më e përhapur është te vajzat.
“Deformimet e kolonës në 80% të rasteve janë idiopatike, që do të thotë pa një shkak real. Janë femrat tetë herë më të prekura se sa meshkujt për shumë arsye, duke filluar që nga pjesa hormonale, nga pjesa e muskulaturës dhe për shumë arsye të tjera për të cilat vazhdojnë kërkimet. Janë rreth 600–700 fëmijë që ne kemi parë, pra në dy shkolla ku ne kemi bërë studime me iniciativat tona. Kemi një afërsi rreth 27 deri në 30% të posturave skoliotike, pra të tendencave për të krijuar një skoliozë të mirëfilltë,” tha fizioterapisti Endri Mone.
E rëndësishme, sipas ekspertit, është kapja dhe trajtimi në kohë i devijimit të shtyllës kurrizore.
“Vizitat rutinë të fëmijëve fillojnë që nga mosha 7–8, por më e theksuar 9 deri në moshën 16 vjeç. Arsyeja është periudha në të cilën skolioza mund të zhvillohet dhe të diagnostikohet më së miri dhe me sy të lirë, por është dhe mënyra me të cilën ne mund ta trajtojmë. Kemi një limit kohe deri kur mund ta trajtojmë skoliozën, dhe limiti i kohës është pjekuria kockore, e cila është individuale te fëmijët e ndryshëm. Dikush mund ta arrijë pjekurinë 16 vjeç, dikush e arrin 18 vjeç, ashtu siç kemi fëmijë që e arrijnë 20 vjeç.”
Eksperti ka dhe një apel për prindërit: “Bërja e grafive nga mendja e prindërve, apo nga dikush që nuk është ekspert i fushës, thjesht dëmton fëmijën nga ana psikologjike dhe merr rrezatime të kota, sepse specialisti ka disa teste kryesore që mund të bëjë ekzaminim të mirëfilltë fizik duke parë shenjat e duhura dhe me bazën e saj mund të japë trajtimet e duhura.”
Trajtimi me fizioterapi i skoliozës mund të bëhet deri në momentin që kocka nuk ka arritur pjekurinë; në të kundërt, duhet t’i nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale.