Operacioni anti-drogë i SPAK: Cilat janë bizneset dhe televizioni i sekuestruar

Në kuadër të operacionit ndërkombëtar kundër trafikut të kokainës dhe heroinës mes Shqipërisë dhe Italisë, prokurori i SPAK, Vladimir Mara, njoftoi dhe sekuestrimin e një televizioni në qytetin e Vlorës.
Euroneës Albania mëson se kemi të bëjmë me një platformë televizive kabllore lokale në qytetin e Vlorës, e njohur si Vlora Cable, në pronësi të Nexhmedin Danaj
Sipas hetimeve, kjo platformë është dyshuar se është financuar dhe ndërtuar me fonde të përfituara nga aktiviteti kriminal i trafikut të drogës. Burime bëjnë me dije se në Vlorë janë arrestuar dy persona, përfshirë edhe djalin e pronarit të kompanisë kabllore që operonte këtë platformë televizive.
Përveç kësaj, gjatë operacionit janë sekuestruar edhe tre restorante në Durrës, një bar-kafe dhe gjashtë shoqëri tregtare të tjera, të cilat gjithashtu dyshohet të jenë pjesë e rrjetit të pasurive të ndërtuara me para të pista.
Ndër shoqëritë e vendosura nën sekuestro janë:
Marquez, në pronësi të Ervin Zeqirit
Felix Vinum, e Adi Çobës
Majestic Konstruksion, e Juxhin Drazhit
Portslade, e Elvis Docit (i njohur si Visi i Pojës)
Dubai Inn, e Nexhmedin Danajt
Vlora Cable, gjithashtu në pronësi të Nexhmedin Danajt
Një kompani tregtare për shitblerje makinash në pronësi të Olgert Shqevit
Ky operacion, që u zhvillua në bashkëpunim me autoritetet italiane, ka çuar në lëshimin e 52 urdhër-arresteve, ndërsa 40 prej tyre janë ekzekutuar. Sekuestrimi i platformës televizive kabllore në Vlorë tregon se grupet kriminale përdorin edhe biznese mediatike për pastrimin e parave të fituara nga trafiku i drogës.
Prokurori i çështjes nga radhët e SPAK, Vladimir Mara theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me autoritetet italiane në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Ai theksoi se në total janë lëshuar 52 urdhër-arreste në Shqipëri dhe Itali, prej të cilave 40 janë ekzekutuar deri më tani, duke përfshirë edhe arrestime ndaj zyrtarëve shtetërorë dhe një avokati që dyshohen për përfshirje në këtë rrjet kriminal.
“Ky operacion është një goditje e rëndësishme ndaj trafikut të kokainës dhe heroinës dhe pasuron luftën tonë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shqipëri dhe rajon,” tha Mara
Kryeprokurori i Barit, Giuseppe Rossi, vuri në dukje se falë analizave dhe bashkëpunimit me SPAK është dokumentuar një cikël i plotë i trafikimit me vlerë afro 5 milionë euro.