
Adriatik Lapaj, kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, po e përdor mandatin e vetëm të fituar në zgjedhjet e 11 majit më shumë si kartëvizitë sesa si mjet beteje. Në vend që të denoncojë procesin zgjedhor si të manipuluar – siç pritet nga një forcë që u shpall “antisistem” – Lapaj flet me tone të kujdesshme, pothuaj teknokrate: “Procesi është ende në vijim. Ka elementë që janë tej çdo standardi për integrimin evropian, por nuk dal të them që nuk i njihja këto probleme.” Me fjalë të tjera: po, zgjedhjet janë të çuditshme, por jo aq sa të trembin një opozitar të kujdesshëm që synon të jetë gjithnjë korrekt me sistemin që thotë se do të ndryshojë.
Kur u pyet nëse do ta njohë rezultatin, Lapaj u kujdes të mbajë të gjitha derët hapura: “Në fund të procesit do të shprehemi zyrtarisht.” Ndërsa për mandatin? Sërish shmangie: “Vendos kryesia.” Sepse, siç thotë vetë, “kam bërë qëndrim publik që nëse marrim vetëm një mandat, është dështim i imi personal.” Pra, mandati vlen – por jo aq sa të përbëjë krenari, as aq sa të refuzohet. Një dozë idealizmi e përzier me pragmatizëm të hollë – në stilin më të mirë të politikës që Lapaj premtoi se do ta rrëzonte.
E pyetur për bashkëpunimin me mazhorancën, përgjigjja ishte po aq e kujdesshme sa çdo pjesë tjetër e intervistës: “Nuk jemi armiq, jemi kundërshtarë politikë. Do e vlerësojmë rast pas rasti.” Dhe nëse bëhet fjalë për integrimin, duket se vota e vetme e “Shqipëria Bëhet” nuk do jetë pengesë. Ironia është se një forcë që u paraqit si tronditje për sistemin, sot e përkufizon vetveten si bashkëpunuese nëse qeveria ka “ndonjë çështje për të mirën e vendit”.
Në fund, ajo që duket qartë është se “forca e tretë” nuk ka ndërmend të bëhet zë i parë i opozitës. Më shumë sesa të përballet me sistemin, duket se kërkon të vendoset me kujdes brenda tij – me një gjuhë të butë, një vijë të kuqe që quhet “drejtësia”, dhe një fleksibilitet që e bën të pranueshëm për çdo tavolinë. Mbetet vetëm të shohim nëse ky është një projekt për të bërë Shqipërinë – apo për t’u bërë pjesë e Shqipërisë që është.