Patosi në protestë kundër bashkimit me Fierin. “Nuk do lejojmë shkatërrimin e qytetit të naftëtarëve”.

Patos – Banorë të Patosit kanë protestuar sot për herë të 4 kundër projektit për bashkimin e Bashkisë Patos me Bashkinë Fier, në kuadër të ndryshimeve të propozuara në reformën territoriale.
Protestuesit kundërshtojnë me forcë përfshirjen e Patosit në një bashki të vetme me Fierin, duke argumentuar se Patosi është një njësi vendore që, sipas tyre, është financiarisht e qëndrueshme, nuk ka borxhe ndaj buxhetit të shtetit dhe renditet ndër bashkitë që kanë realizuar investime të rëndësishme në raport me madhësinë e saj.
Pensionistët kanë shprehur gjithashtu shqetësimin se, nëse Patosi do të jetë pjesë e Bashkisë Fier, vëmendja dhe investimet do të përqendrohen kryesisht në qendrën e bashkisë së re, ndërsa problemet e qytetit të Patosit dhe zonave përreth mund të mbeten në plan të dytë.
“Paratë dhe investimet duhet të shkojnë për të zgjidhur problemet tona këtu në Patos”, është shprehur një prej protestuesve.
Të tjerë protestues kanë ngritur edhe argumentin historik, duke theksuar rëndësinë e Patosit si qytet i lidhur ngushtë me industrinë e naftës dhe historinë e punëtorëve të naftës.
“Ne këtu në Patos do të festojmë 100-vjetorin e grevës së parë të punëtorëve të naftës. Këtë histori duket se nuk e di askush. Pse duan të shkatërrojnë qytetin e naftëtarëve të Patosit?”, kanë deklaruar protestuesit.

Sipas tyre, bashkimi me Fierin do të sillte edhe pasiguri për mënyrën se si do të përcaktohen investimet në territorin e Patosit, pasi vendimmarrja do të kalonte te Bashkia Fier.
Protestuesit paralajmërojnë se kundërshtimi i tyre nuk do të ndalet me protestën e sotme. Ata kanë deklaruar se do të vijojnë protestat dhe, nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh, janë të gatshëm të përshkallëzojnë aksionin deri në bllokimin e rrugëve që lidhin zonat përreth me qendrën e Patosit.
Banorët kërkojnë që Patosi të vijojë të funksionojë si bashki më vete dhe kundërshtojnë çdo vendim që, sipas tyre, do të cenonte autonominë lokale, investimet dhe identitetin e qytetit të naftëtarëve.
https://www.facebook.com/ALB365.LAJME/videos/1068336322613321/?app=fbl










