Temperaturat e larta shtojnë fluksin në urgjencë, mbi 200 vizita në 24 orë

Fier – Rritja e temperaturave gjatë ditëve të fundit ka sjellë një fluks të shtuar pacientësh në urgjencën e Spitalit Rajonal të Fierit.
Sipas mjekut të urgjencës, Ardit Hymeraj, vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar mbi 200 vizita. Pjesa më e madhe e pacientëve janë persona të moshave të treta, por edhe qytetarë që vuajnë nga sëmundje të ndryshme kronike.
Mjeku shpjegon se ndër shqetësimet më të shpeshta të pacientëve gjatë periudhës së temperaturave të larta janë dehidratimi, diarreja, dhimbjet e ndryshme dhe gjendjet e shkaktuara nga ekspozimi i zgjatur në diell dhe të nxehtë.
Në shumë raste, pas marrjes së ndihmës mjekësore dhe këshillave përkatëse, pacientët largohen nga urgjenca për të vijuar trajtimin në banesë.
Mjeku Ardit Hymeraj u bën apel qytetarëve, veçanërisht të moshuarve dhe personave që vuajnë nga sëmundje kronike, të tregojnë kujdes gjatë orëve me temperatura të larta. Ai këshillon shmangien e ekspozimit të drejtpërdrejtë në diell, konsumimin e mjaftueshëm të lëngjeve dhe mosneglizhimin e simptomave.
Në rast shqetësimesh shëndetësore, qytetarët duhet të kontaktojnë fillimisht mjekun e familjes ose të drejtohen në urgjencë, në varësi të gjendjes së tyre.
https://www.facebook.com/share/v/197KUw6Lib/








