Zëri shqiptar në ‘La Notte della Taranta’, performuan Salvatore Galeanda e Emal Meta

Në skenën e “La Notte della Taranta” në Melpinjano të Puljas ne Itali, zëri dhe tradita arbëreshe u përfaqësuan nga dy këngëtarë me emër si Salvatore Galeanda dhe Ermal Meta, të cilët sollën 3 këngë të ndryshme. Këngët, të lidhura me komunitetet arbëreshe të provincës së Tarantos, u performuan përpara rreth 150 mijë spektatorëve, ndërsa i gjithë eventi u transmetua nga Rai dhe Eurovizion, duke e çuar këtë trashëgimi te miliona teleshikues.
Nga Alba Kepi
Në Melpignano, Puglia, përballë brigjeve shqiptare të Adriatikut, aty ku çdo vit muzika folkloristike tradicionale e Salentos shndërrohet në një spektakël të jashtëzakonshëm, zëri arbëresh mori këtë vit një vend të veçantë.
Përballë rreth 150 mijë spektatorëve, në skenën e La Notte della Taranta, u dëgjuan “Ec e Ec” dhe “Manushaqe”, të interpretuara nga Salvatore Galeanda, ndërsa Ermal Meta solli “Lule Lule”.
Salvatore Galeanda jeton në Fragagnano, pranë San Marzano di San Giuseppe, një prej qendrave ku trashëgimia arbëreshe vazhdon të jetë e gjallë. Sic tregon ai, lidhja me këtë kulturë është edhe familjare: stërgjyshja e tij ishte arbëreshe. Për Galeandën, të sjellësh këto këngë në Melpignano do të thotë të çosh përpara një pjesë të historisë së familjes, të ruash një kujtesë dhe t’i japësh zë një tradite shqiptare të ruajtur ndër shekuj.
Edhe këtë vit do të sjell dy këngë në Melpignano, “Ec e Ec” dhe “Manushaqe”. Njëra është mbledhur, në San Marzano di San Giuseppe, ndërsa “Manushaqe” ka dalë nga një projekt që kemi bërë me Fondazione La Notte della Taranta, një projekt në komunat arbëreshe, ku ekziston ende një komunitet arbëresh dhe kështu vazhdojmë këtë traditë. Për mua është sikur të çoj përpara traditën e familjes sime, sepse vij nga provincia e Tarantos dhe jetoj në Fragagnano, një qytezë pranë San Marzano di San Giuseppe. Është një komunitet arbëresh në provincën e Tarantos dhe, nga ana tjetër, në gjakun tim rrjedh edhe gjaku arbëresh. Stërgjyshja ime ishte arbëreshe. Prandaj përpiqem ta çoj përpara këtë traditë arbëreshe, për atë që përfaqëson. Për mua kjo është mënyra për ta çuar e përcjellë historinë, për ta bërë të njohur dhe për të treguar se këto komunitete dhe këto këngë janë këtu prej shekujsh.
Në të njëjtën skenë, Ermal Meta, Maestro Concertatore i këtij edicioni, solli “Lule Lule”, duke i dhënë një tjetër jehonë pranisë së gjuhës dhe kulturës arbëreshe në këtë spektakël.


Një repertor që vjen nga kujtesa dhe tradita e komuniteteve arbëreshe të provincës së Tarantos u bë kështu pjesë e një prej netëve më të mëdha të muzikës folkloristike në Europë. Këtë vit, kjo skenë mori edhe një dimension të ri, me transmetimin drejtpërdrejt në Rai 3 dhe në Eurovizion, duke e çuar këtë muzikë përtej publikut të pranishëm në Melpignano dhe te miliona teleshikues








