Tuesday, February 27, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeBOTAPërplasje mes Kosovës dhe Serbisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

Përplasje mes Kosovës dhe Serbisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

Kosova dhe Serbia kanë këmbyer akuza gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku u diskutua për raportin për Kosovën të sekretarit të Përgjithshëm, Antonio Guterres. Teksa Serbia mohoi çdo përfshirje në sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë dhe tha se ngjarjet ishin rezultat logjik i “terrorit” ndaj serbëve, Kosova tha se më 24 shtator ishte “cak i agresionit nga Serbia”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë paraqitjes para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, tha se Serbia dëshiron territor të Kosovës “por, nuk do ta marrë kurr딓Ne duam paqe dhe Serbia e dëshmoi më 24 shtator se do luftë. Por, ne nuk do ta lejojmë të ndodhë kjo”, tha Osmani. Sipas Osmanit, më 24 shtator plani ishte “destabilizimi i rajonit” të Ballkanit Perëndimor dhe jo vetëm i Kosovës. Osmani tha se burimi kryesor i financimit, armatosjes dhe trajnimit të grupit të armatosur në Banjskë “është Republika e Serbisë”. 

“Çfarë dëgjuam nga Serbia sot ishte minimizimi i aktit të agresionit ndaj Kosovës”, tha Osmani. Presidentja e Kosovës iu drejtua me një mesazh serbëve që jetojnë në Kosovë, duke u thënë se Kosova është shtëpia e tyre. “Konfirmoj se jemi të përkushtuar që të bëjmë më shumë për serbët në Kosovë. Por, ne nuk do t’i japim Serbisë instrumente përmes së cilave ata mund të shkatërrojnë jetën e serbëve që jetojnë në Kosovë dhe të vazhdojnë të tentojnë të shkatërrojnë sovranitetin dhe integritetin tonë territorial”, tha Osmani. Ajo tha se Kosova është e përkushtuar për paqe dhe mbetet e angazhuar për dialogun për normalizimin e raporteve me Serbinë.

Bërnabiq: Serbia nuk ka qenë e përshirë në sulmin në Banjskë

Ndërsa kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha se Serbia nuk ka qenë e përfshirë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit. Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Bërnabiq tha se hetimet do të tregojnë se dy nga tre sulmuesit serbë që u vranë gjatë përleshjeve, janë “vrarë pasi janë dorëzuar”.

“Beogradi ose forcat e sigurisë, strukturat e sigurisë nuk kanë qenë të përfshirë në këtë ngjarje dhe jemi të gatshëm të ofrojmë dëshmitë te komuniteti ndërkombëtar për të vërtetuar këtë”, tha ajo, duke thënë se ngjarjet në Banjskë janë “pasojë logjike e terrorit që Prishtina ka zbatuar ndaj serbëve”.

Gjatë fjalimit para Këshillit të Sigurimit, Bërnabiq akuzoi Kosovën se injoron marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Bërnabiq, tha se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është kusht për zbatimin e marrëveshjeve të tjera nga Serbia. “Asociacioni është një element i pashmangshëm për zbatimin e çdo marrëveshjeje tjetër”, tha ajo.

Kosova, sipas saj, ka tri mesazhe për serbët dhe komunitetin ndërkombëtar. Mesazhi i parë, sipas saj, serbët që janë larguar nga Kosova pas luftës më 1999 “nuk janë të mirëpritur” që të kthehen. Mesazhi i dytë, serbët që jetojnë në Kosovë “duhet të largohen” dhe mesazhi i tretë, “marrëveshjet e arritura nuk do të zbatohen”.

Sipas Bërnabiqit, që kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pushtetin dy vjet më parë, “11 për qind e serbëve janë larguar nga komunat” në veri të Kosovës. Ajo akuzoi Kosovën për “fushatë të dhunshme” ndaj serbëve, duke pretenduar se vitin e kaluar kanë ndodhur mbi 400 incidente ndëretnike.

SHBA kërkon ekstradimin e sulmuesve në Banjskë

Ndërsa, përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara në OKB tha se “duhet të ketë përgjegjësi të plotë” në bazë të ligjit për personat e përfshirë në sulm. “Personat që janë larguar për në një shtet të tretë duhet të ekstradohen dhe ndiqen penalisht”, tha përfaqësuesi i SHBA-së.

SHBA-ja tha se po punon nga afër me Bashkimin Evropian dhe partnerët e NATO-s për të ndihmuar që veriu i Kosovës – i banuar me shumicë serbe – të jetë i qetë. Uashingtoni u bëri thirrje palëve që të kthehen në dialog, të përgatitur “që të ndërmarrin hapa konkretë përpara”.

Është e rëndësishme që palët të bëjnë përparim në të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, tha ai. SHBA dhe BE kërkojnë zbatim të shpejtë dhe pakushte të Marrëveshjes për normalizim
Përfaqësuesi i Kinës në OKB tha se Pekini mbështet një zgjidhje të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë. Por, Kina – që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës – akuzoi Prishtinën për rritjen e tensioneve në veri.

“Ne kundërshtojmë veprimet e njëanshme të autoriteteve të Kosovës që rritën tensionet dhe u bëjmë thirrje që t’i kthehen dialogut dhe konsultimet”, tha përfaqësuesi i Kinës, duke kërkuar që Kosova të themelojë menjëherë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Shefja e UNMIK-ut kërkon rikthimin në dialogun e Brukselit

Gjatë mbledhjes, shefja e misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK, Caroline Ziadeh, tha se pavarësisht se nuk përfshihet në raportin gjashtëmujor, përmendi “incidentin e sigurisë” në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator. Ajo tha se pas hetimeve, përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë. Ajo tha se ngjarja ku u vra një zyrtar policor i Kosovës dhe tre sulmues, “ka përkeqësuar situatën” e sigurisë, e cila sipas saj, edhe para 24 shtatorit ishte e rëndë.

“Është thelbësore që hetimet që po zhvillohen aktualisht të ofrojnë mundësinë për të dokumentuar me fakte këto ngjarje dhe për ti mbajtur autorët përgjegjës”, tha ajo. Ajo kërkoi që palët t’i kthehen dialogut dhe tha se pret nga Kosova dhe Serbia të zbatojnë masa të shtensionimit të situatës, duke vënë theksin në nevojën e një “kompromisi politik” në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Dialogu është e vetmja rrugë përpara”, tha ajo.Ziadeh tha se shpreson që takimi i diplomatëve ndërkombëtarë në Kosovë dhe Serbi më 21 tetor do të bëjë që palët t’i kthehen dialogut për normalizimin e raporteve. Shefja e UNMIK-ut tha se të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, përfshirë edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duhet të zbatohen.

Raporti i sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, përfshin periudhën gjashtëmujore nga 19 marsi deri më 18 shtator. Gjatë takimit, SHBA-ja përsëriti qëndrimin se UNMIK-u nuk ka rol në Kosovë dhe një herë kërkoi që të përfundojë mandati i këtij misioni. /REL

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME