
Kryeministri Edi Rama i ka çuar më tej kritikat për prokurorë dhe gjykatës të posaçem, në lidhje me arrestimet që ai i konsideron “pa gjyq”. Rama ngriti pikëpyetje për marrëdhënien e ngushtë që është krijuar mes gjykatësve dhe prokurorëve, në rastet kur ata bëhen bashkë, duke i privuar të akuzuarit nga e drejta për një gjykim të paanshëm.
Edhe pse nuk e përmendi, Rama qartazi i referohet rastit “Veliaj” që është sot në burg me kërkesë të prokurorëve Olsi Dado dhe Altin Dumani dhe me konfirmimin që i dha atyre Erjon Bani.
Deklaratat e Ramës vijnë pas një aktiviteti në lidhje me çështjet e drejtësisë, që u zhvillua këtë paradite dhe ku prokurori Altin Dumani dhe gjykatësi Erjon Bani ishin ulur pranë njëri tjetrit.
“Arrestimi pa gjyq është i paligjshëm. Këto arrestime të paligjshme nesër i paguan taksapaguesi shqiptar si formë dëmshpërblimi. Përse duhen këto arrestime pa gjyq? Për të treguar forcë? Për të treguar se prokuroria dhe gjykata janë e njëjta gjë si në komunizëm? Kjo më shumë se sa për SPAK është një kambanë që bie për gjykatësit.” – ishin pyetjet që ngriti Rama.
Ai u ndal edhe te roli i gjykatave, duke theksuar se gjyqtarët nuk mund të veprojnë sipas urdhrave të prokurorisë. “Gjykatës që bëjnë marrëveshje me prokurorin ose që kanë frikë prej tij dhe fusin njerëz në burg pa gjyq janë problem,” shtoi ai.
https://www.facebook.com/plugins/video.php?height=314&href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fediramaal%2Fvideos%2F503494762799162%2F&show_text=false&width=560&t=0
“Janë aty për të qenë të drejtë, të paanshëm, etj. Nuk janë për të mbajtur anën e prokurorit! Prokurori ka punën e vet dhe gjykatësi ka punë tjetër. Gjykatës që bëjnë marrëveshje me prokurorin përpara apo që kanë frikë nga prokurori dhe bien dakord që të kapin e fusin njerëz pa gjyq në burg janë problem”, u shpreh Rama.
Gjithsesi në tryezën e sotme për drejtësinë, Dumani iu përgjigj pretendimeve të kryeministrit Edi Rama për arrestimet “pa gjyq”.
“Çdo hetim ka dinamikat e veta. Përpjekjet për të vendosur SPAK si një institucion represiv, është përpjekje e dështuar se shifrat flasin vetë”, tha Dumani, ndërsa pak më tej, gjykatësi Erjon Bani dëgjonte me vëmëndje.