Monday, November 4, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeAKTUALITETRama në Athinë/ VOA: U parapri nga debate në politikën greke

Rama në Athinë/ VOA: U parapri nga debate në politikën greke

Marrëdhëniet shqiptaro – greke dhe nevoja e përmirësimit të tyre, jo vetëm në dobi të dy vendeve, por gjithë rajonit, ishin në qendër të një fjale të gjatë që kryeministri Edi Rama mbajti sot në Athinë përpara disa mijëra emigrantëve shqiptarë. Zoti Rama tha se shqiptarët dhe grekët duhet të ecin përpara si të barabartë, duke lënë pas të shkuarën dhe problemet që sipas tij janë ushqyer më së shumti nga politika. Takimi i sotëm në Athinë është i pari i një turi në disa qytete të Evropës, që zoti Rama parashikon të realizojë me bashkëkombasit e tij që jetojnë jashtë Shqipërisë.

Vizita e sotme e kryeministrit Rama në Athinë ishte paraprirë nga debate të shumta në politikën greke, të mbërthyer nga ethet për zgjedhjet në parlamentin europian. Opozita e kishte konsideruar takimin e tij me emigrantët shqiptarë si “një provokim”, ndërsa kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis e kishte cilësuar “të panevojshme”.

Përgjigja e zotit Rama erdhi që në hapje të fjalës së tij në mjediset e tejmbushura të stadiumit Galatsi, në kryeqytetit grek, ku mbizotëronin ngjyrat kombëtare shqiptare kuq e zi dhe flamujtë e Bashkimit Evropian. “Disa këtu në Greqi u çuditën, të tjerë u mërzitën, ndonjë edhe tha se unë nuk duhet të vija për vizitë tek ju, por mbase kur ta shohin këtë shfaqje gëzimi familjar, ata do kuptojnë që unë nuk kam ardhur të takohem me shërbëtorët e tyre të dikurshëm, por kam ardhur të çmallem me të zotët e barabartë të kësaj shtëpie”, deklaroi ai.

Pikërisht, shqiptarët dhe grekët si të barabartë mes tyre, ishte boshti fjalës së zotit Rama ndërsa përshkroi marrëdhëniet e ngushta dhe historitë e përbashkëta që dy popujt kanë ndarë gjatë shekujve, duke vënë në dukje se problemet ishin krujuar më së shumti nga politika.

“Edhe sa shekuj duhet të jetojmë ne, shqiptarët e grekët, në këtë lagje të Evropës moderne, që ta mësojmë dhe ta pranojnë pa asnjë kompleks nacionalist, pa asnjë ndjenjë superioriteti ndaj një tjetrit, një të vërtetë të thjeshtë, se jo vetëm shpirti i popujve nuk njeh kufij, po edhe se kultura jonë e përbashkët mesdhetare dhe ballkanike është plazmuar shumë kohë përpara se gjuhët të bëheshin shpata dhe flamujt të ngriheshin si shtiza për të përçarë dhe futur popujt në luftëra, konflikte dhe ngatërresa”, u shpreh zoti Rama.

Ai tha më tej se “Shqipëria nuk ka asnjë pretendim tjetër ndaj Greqisë përveç respektit dhe kujdesit reciprok për bashkëkombësit që jetojnë në të dy shtetet tona, si dhe marrëdhënieve reciproke të miqësisë dhe të fqinjësisë së mirë”, ndërsa theksoi se vendi i tij “e sheh Greqinë si një partner të natyrshëm strategjik, qoftë për çështjet për tu zgjidhur mes nesh, qoftë sfidat e mëdha të kësaj epoke të re, mundësish, por dhe kërcënimesh për Ballkanin, Europën, botën demokratike ne i shohim si arsye madhore për tu afruar më shumë, për tu njohur më mirë, për të mos i bërë bisht asnjë nevoje për më shumë komunikim, për të gjetur zgjidhjet më të arsyeshme për të dy palët”

Zoti Rama e konsideroi një absurditet, faktin që ndërsa dy vendet janë anëtare të Natos, Greqia mban në fuqi ligjin e luftës, i cili përfaqëson një pengesë për cështjen e pronave të shqiptarëve në këtë shtet.

Athina në mënyrë të përsëritur ka ngritur pretendime për të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri, por zoti Rama vuri në dukje se Shqipëria “ka një kornizë garancishë ligjore për minoritetet që “de facto” e bën atë, një ndër shembujt më përparimtar në këtë drejtim mes të gjitha vendeve të Këshillit të Europës”.

Nga ana tjetër ai nuk la pa përmenduar vuajtjet dhe trysninë që iu është dashur të përballojnë shqiptarët në vitet e para të emigracionit në Greqi. “Ju vëllezër dhe motra kapërcyet male, dolët pa dalë drita për të pritur nëpër sheshe, gjakosët duart dhe dërrmuat kurrizin me punët më të rënda. U përballët me arrogancën e fqinjit të pasur ndaj komshiut të varfër. Përjetuat poshtërimin e fshesave të zeza të fundshekullit XX kur ju shkulnin nga shtëpitë me rrobat e trupit nëpër natë për t’ju deportuar në Shqipëri si në një film të ri të një kohe shumë të vjetër të shpërnguljeve me dhunë të paraardhësve tanë nga shtëpitë e tyre në veriun e Greqisë”, u shpreh kryeministri me një referencë të qartë për banorët e Çamërisë.

Pavarësisht dritëhijeve që kanë shoqëruar raportet mes dy vendeve, zoti Rama shprehu besimin se “më e mira mes Greqisë dhe Shqipërisë, është e gjitha përpara dhe këtë besim e kam të armatosur, me gatishmërinë që ne t’i zgjidhim të gjitha çështjet mes nesh, si europianë largpamës të shekullit të ri, jo të vazhdojmë t’i zvarrisim si ballkanas syleshë të shekullit të vjetër, për t’i kthyer pastaj në mollë sherri sa herë hapen tezgat e pazareve elektorale”.

Duke e vlerësuar kryeministrin aktual grek Mitsotakis, si “bashkëbiseduesin më të hapur në këto 10 vite”, ai e mbylli fjalën e vet me një mesazh drejtuar pikërisht atij, ndërsa lexoi disa vargje të poetit Naim Frashëri: “Mjaftojnë vuajtjet e shumta dhe tiranitë që kemi kaluar. Eshtë koha e mirëqenies, është koha e lirisë”. /Marrë nga VOA

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME