Revolucion në mjekësi/ Pacienti operohet për tumor në prostatë… ndërsa ‘udhëton’ në Karaibe

Në spitalin Le Molinette të Torinos është realizuar një ndërhyrje inovative për trajtimin e tumorit në prostatë, ku përveç teknikës së avancuar kirurgjikale, u përdor edhe realiteti virtual për të ulur nivelin e stresit të pacientit.
Pacienti iu nënshtrua një operacioni në anestezi lokale për shkak të një kanceri prostatik, por gjatë gjithë procedurës, falë një syze 3D, ai ndodhej “me mendje” në Karaibe, duke përjetuar një ambient të qetë dhe relaksues. Ky përdorim i realitetit virtual synon të reduktojë ankthin dhe dhimbjen gjatë ndërhyrjeve mjekësore.
Një teknikë e re: TPLA
Operacioni u krye me metodën TPLA (Transperineal Laser Ablation), një procedurë mini-invazive që konsiston në futjen e fibrave shumë të holla lazer përmes rrugës transperineale. Energjia e lazerit shkatërron vetëm zonën e prekur nga tumori, duke ruajtur pjesën tjetër të prostatës. Kjo redukton ndjeshëm rreziqet e efekteve anësore si inkontinenca urinare apo problemet me ereksionin, duke përmirësuar cilësinë e jetës pas operacionit.

“Pushime” gjatë operacionit
Falë syzeve të realitetit të shtuar, pacienti mund të zgjidhte ambientin ku “shëtiste”: plazhet e Karaibeve, yjësinë e Rrugës së Qumështit apo vende të tjera relaksuese, gjithnjë të shoqëruara me muzikë qetësuese. Në çdo moment, ai kishte mundësinë të kthehej menjëherë në ndërveprim me sallën e operacionit.
Ky kombinim i teknologjisë mjekësore me realitetin virtual përfaqëson një hap të madh në drejtim të një trajtimi më njerëzor dhe më pak stresues të sëmundjeve serioze si kanceri i prostatës.









