Monday, July 22, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeAKTUALITETRritet dhuna policore, dënimet janë minimale

Rritet dhuna policore, dënimet janë minimale

Ankesat ndaj dhunës policore janë në rritje, por të dhënat tregojnë se vetëm një pjesë fare e vogël e denoncimeve të qytetarëve përfundojnë në prokurori si dosje penale. Vetë Agjencia e Mbikëqyrjes Policore pranon se “shqetësuese mbeten veprimet e paligjshme, kryesisht të strukturave të sigurisë publike në shoqërimet e paligjshme, në ushtrimin e dhunës ndaj shtetasve gjatë shoqërimit”. Dënimet në gjykatë për policët dhunues janë qesharake, edhe kur dhuna pranohet ose faktohet.

Autor: Eni Ferhati

“Sapo hipa në furgonin e policisë, H. është afruar përsëri dhe më ka goditur, mua dhe dy shokët e mi. Na çuan te dhomat e shoqërimit dhe pas gjysmë ore H. erdhi përsëri dhe, pasi hapi derën e dhomës me çelës, rrotull nuk ka qenë oficeri i rojës, më kapi për xhupi dhe më afroi te banja, ku më shtyu me forcë dhe vetëm më qëllonte”, – është ky rrëfimi i 28-vjeçarit A. K., i cili ka kallëzuar disa policë të Shqiponjave për dhunë fizike gjatë momentit të shoqërimit.

Pamje të kamerave të sigurisë, me momente të dhunës ndaj të riut brenda në komisariat

Hetimet dokumentuan se i riu u dhunua brenda në komisariat, në nëntor të vitit 2021. 3 policët e forcës së posaçme, Shqiponja, në Durrës u pezulluan nga detyra. Ndaj tyre prokuroria ngriti akuzë “për veprime arbitrare”, pasi ushtruan dhunë gjatë shoqërimit të një shtetasi në komisariat.

Referuar dosjes hetimore, të cilën INA MEDIA e disponon, policët e kanë mohuar dhunën, por këqyrja e kamerave të sigurisë së komisariatit në Durrës ka dokumentuar lëvizjet e policëve të akuzuar pranë dhomave të shoqërimit.

“Në orën e shfaqur nga kamera duken dy punonjës policie me uniformë ngjyrë të kuqe. Njëri prej punonjësve fillon të godasë me duar dhe më pas me këmbë qytetarin e veshur me bluzë ngjyrë të bardhë dhe gri, sipër, te pjesa e shpatullave”, – thuhet në dosjen hetimore.

Përplasja e kallëzuesit me policët e Shqiponjave rezulton se nisi për një gjobë parkimi, e vendosur ndaj shokëve të tij, gjithashtu të shoqëruar në komisariat.

Sipas policëve, shokët e A. K., (kallëzuesit) kanë tentuar të përplasin me automjet një nga punonjësit në detyrë dhe ai vetë (kallëzuesi) ka tentuar t`i pengojë të kryejnë detyrën.

Njësoj si A. K., një duzinë qytetarësh denoncojnë dhunën që ushtrohet ndaj tyre nga personat e veshur me uniformë policie.

Ushtrimi i dhunës gjatë shoqërimit apo kontrollit konsiderohet “thembra e Akilit”, jo vetëm e Policisë së Rendit. Dëshmi dhe denoncime të shumta implikojnë në ushtrimin e dhunës ndaj qytetarëve forcat e posaçme, Shqiponja, policinë e Rendit, atë Rrugore, Policinë Bashkiake, madje edhe policitë private.

“Nga viti 2018 deri në gusht të vitit 2022 kemi administruar 841 ankesa të qytetarëve për veprën “Kryerja e veprimeve arbitrare”, ku përfshihen rastet e dhunës”, – thotë në një përgjigje me shkrim për INA MEDIA-n Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.

Ankesat ndër vite për dhunë policore

Shteti, në dijeni të dhunës policore

E vënë shpesh në qendër të akuzave për tejkalim të kompetencave, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore pranon se në një duzinë procesesh të shoqërimeve ka dhunë dhe paligjshmëri.

“Shqetësuese mbeten veprimet e paligjshme, kryesisht të strukturave të sigurisë publike në shoqërimet e paligjshme, në ushtrimin e dhunës ndaj shtetasve gjatë shoqërimit dhe qëndrimit në ambientet policore”, – pranohet në një raport të vitit 2021, ku komentohen shqetësimet e ngritura nga denoncimet e qytetarëve.

“Nga hetimi administrativ i ankesave, si një nga metodat mbikëqyrëse të veprimtarisë dhe performancës së strukturave, objekt i veprimtarisë së agjencisë, ka rezultuar se punonjësit e strukturave të sigurisë publike, Policisë Rrugore dhe të Hetimit të Krimit shfaqin mungesë etike dhe profesionalizmi”, – pranohet më tej në këtë dokument.

Kjo nuk është hera e parë që ky institucion i rëndësishëm e pranon problematikën në këtë proces delikat. Ai evidentohet pothuajse çdo vit në raportet periodike të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, ish-shërbimi për çështjet e brendshme dhe ankesave.

Policia në vendet demokratike ka disa indikatorë që duhet të udhëheqin punën e saj. Këta indikatorë janë: Si sillet policia, kur shoqëron një person; si sillet ndaj një manifestimi kontestues dhe si sillet ajo në procesin e marrjes, kur një viktimë denoncon.

Duke analizuar respektimin e këtyre indikatorëve, Pëllumb Nako, ish-drejtues i policisë, konsideron se policia shqiptare ka shumë “mëkate”, sidomos kur bëhet fjalë për zbatimin e protokollove të shoqërimit.

“Një nga pikat, ku patrullat e policisë abuzojnë më shumë, janë shoqërimet në komisariat për verifikim identiteti. Mund të kemi në një komisariat 100 të shoqëruar, por, sa prej tyre janë vërtet problem për rendin publik? Sa prej tyre ndikuan vërtet në parandalimin e cenimit të rendit? Askush, aktualisht nuk e di se sa vetë shoqërohen në ditë në Shqipëri”, – thotë ish-drejtuesi i policisë, Pëllumb Nako.

Pëllumb Nako, ish-drejtues policie

Nën petkun se policia përfaqëson forcën legjitime të shtetit, sipas tij shpeshherë dhuna policore justifikohet edhe nga titullarë të lartë.

“Mjafton të kujtojmë këtu dhunën e policisë, të përdorur në rastin e prishjes së ndërtesës së Teatrit Kombëtar dhe interpretimin e ministrit të asaj kohe, që mbronte idenë se dhuna është pjesë e punës së policisë. Në fakt, është forca në proporcion të drejtë me kërcënimin. Kur teprohet, ajo bëhet e paligjshme dhe quhet dhunë”, – shprehet ish-titullari i uniformave blu, Pëllumb Nako.

Sipas tij, jo vetëm që shteti është në dijeni të dhunës që ushtrojnë policët, por sipas tij policia po përdoret për të zgjidhur me dhunë konflikte sociale.

“Gjatë qeverisjes së këtij dhjetëvjeçari të fundit ka pasur mjaft përplasje sociale të grupeve të ndryshme të interesit, me dhe pa mbështetje politike, dhe konflikti është zgjidhur përfundimisht me gjuhën e dhunës dhe të gazit lotsjellës dhe jo me anë të dialogut social. Pra, qeveria ka parapëlqyer dhunën nëpërmjet policisë”, – argumenton ish-drejtuesi i policisë, Pëllumb Nako.

Tejkalimi i kompetencave të policisë në dëm të qytetarit është konstatuar ndër vite edhe nga Avokati i Popullit dhe Këshilli i Europës. Ata kanë monitoruar përgjatë vitit 2019 disa komisariate të policisë në Tiranë, Mat dhe Elbasan, si dhe qendrën e Karreçit.

Në raportin e publikuar në vitin 2020 ata kanë konstatuar përdorimin e forcës më shumë sesa është e nevojshme në arrestimin apo kryerjen e kontrolleve. Në përfundim, ekspertët e Këshillit të Europës iu lanë rekomandim organeve të policisë “Dyfishimin e përpjekjeve për të luftuar keqtrajtimin nga ana e policisë”.

Mirëpo duket se strukturat e policisë e kanë të vështirë të përmirësohen. Në qershor të vitit 2022 Avokati i Popullit dërgoi në Kuvend një raport mbi zbatimin e këtyre rekomandimeve të lëna nga Këshilli i Europës.

Megjithëse Drejtoria e Përgjithshme e Policisë rendit një sërë aktesh që iu janë përcjellë të gjitha strukturave të policisë për respektimin e të drejtave të njeriut, Avokati i Popullit mendon se këto masa nuk janë të mjaftueshme, duke e lënë të pazgjidhur çështjen e përdorimit të dhunës verbale dhe fizike gjatë procesit të shoqërimit.

“Rekomandimi është zbatuar pjesërisht, duke konsistuar vetëm në rritjen e numrit të masave disiplinore apo dërgimit për ndjekje penale të punonjësve të policisë, që kanë kryer veprime abuzive në përdorimin e forcës më shumë sesa është e nevojshme… Megjithatë, duhen bërë përpjekje më të mëdha për luftimin e këtij fenomeni”, – thuhet në raportin e Avokatit të Popullit.(fq. 63)

Blendi Shahu, studenti i Akademisë së Arteve, që u dhunua gjatë protestave për shembjen e teatrit, thotë se ende nuk e ka të qartë se përse u arrestua dhe u dhunua.

“Mendimi i parë që kisha, kur më vendosën prangat, ishte… Shpresoja që dikush, që më njihte, të më shikonte që po arrestohesha dhe të kërkonte të dinte për mua se çfarë kisha bërë. Pse u arrestova? Kisha parandjenjë që një proces absurd do binte mbi mua për veprimin e vetëm që po bëja gjatë protestës, qëndrimin ulur”, – kujton ai jo pa një lloj ndjesie negative.

Ai thotë se është mbajtur në Komisariatin numër 3 për rreth 5-6 orë, ku këmbëngulnin se kishte ofenduar dhe kishte goditur policët.

Blendi Shahu gjatë arrestimit për protestën kundër shembjes së Teatrit Kombëtar

“Iu përgjigja që, nëse kishin një fakt, ku unë kisha ofenduar ose goditur policin, të mos më nxirrnin më nga burgu”, – rrëfen i riu, i cili thotë se nuk ka bërë kallëzim, përveç denoncimit publik nëpër media.

“Jo, nuk kam bërë një kallëzim të mirëfilltë. Ku ta bëja? Në polici?”, – pyet me mosbesim ai.

Kreu i sindikatës së policisë e sheh të lidhur problemin e përdorimit të dhunës nga ana e uniformave të policisë me mungesën e trajnimeve profesionale dhe testeve “të forcës”.

“Shkak është dhe formimi i dobët, profesional i stafit policor, që dukshëm në situata të caktuara shfaqin çekuilibrim personaliteti, duke kryer veprime të dhunshme ndaj qytetarit, në tejkalim të ligjit”, – argumenton Sadetin Fishta, kreu i sindikatës së policisë.

Sadetin Fishta, kreu i sindikatës së policisë

Sipas tij, shprehja e forcës në mënyrë të pajustifikuar lidhet edhe me nivelin e stresit në radhët e policisë. Trupës policore, përveç forcave speciale, i mungon trajtimi psikologjik, që do të mundësonte konstatimin e individëve “problematikë”.

“Trajtimi jokorrekt në punë, me mbingarkesa, i punonjësve të nivelit zbatues dhe moskompensimi i tyre në kohë me pushime apo financiarisht krijojnë stres dhe pasiguri sociale, që në një formë mund të përkthehet në shtimin e agresivitetit në detyrë”, – thotë më tej kreu i sindikatës së policisë, Sadetin Fishta.

Nentitull: Pandëshkueshmëria e dhunës policore

Pavarësisht se denoncimet janë të shumta nga qytetarët, një pjesë e madhe e rasteve të dhunës me uniformë policie mbeten të pandëshkuara ose marrin dënimet minimale.

Nga 845 denoncime të mbërritura pranë Agjencisë së Mbrojtjes Policore përgjatë këtyre 5 viteve (2018-2022), janë referuar në prokurori 133 raste për 198 punonjës policie, që do të thotë se vetëm afro 16% e denoncimeve materializohen në dosje penale, që referohen në prokurori.

Erida Skëndaj, Drejtoreshë Ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit

“Kodi i Heshtjes, mbrojtja që kolegët i bëjnë njëri-tjetrit, por edhe tendenca për të zbutur shkeljet e konstatuara në këto struktura nuk ndihmon që këto sjellje të parandalohen, por kanë efektin e kundërt”, – shprehet Erida Skëndaj,
Drejtoreshë Ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

Në një përgjigje për Investigative Network Albania-n Avokati i Popullit (AP), bën me dije se nga viti 2018 deri në gusht të vitit 2022 ka administruar rreth 550 ankesa të qytetarëve për Policinë e Shtetit.

“Më shumë ankohen për keqtrajtim dhe sjellje arbitrare. Nga inspektimet e kryera në strukturat e policisë janë konstatuar pretendime për raste të ushtrimit të dhunës dhe keqtrajtimit fizik e psikologjik të shtetasve nga punonjësit e policisë në disa komisariate”, – thotë për INA-n Komisioneri i Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës, Ahmet Prençi.

Ahmet Prençi, Komisioneri i Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës, Avokati i Popullit

Ankesat drejt Avokatit të Popullit nuk kanë munguar as për shoqërime të paligjshme apo mbajtje në gjendje shoqërimi tej afatit ligjor.

“Në disa raste i jemi drejtuar me rekomandime institucioneve përgjegjëse për përmirësimin e kushteve përkatëse, për trajnimin e stafeve dhe angazhimin e tyre në njohjen e legjislacionit, akteve ndërkombëtare, procedurave standarde, që sjellin përmirësimin e standardeve dhe respektimin e të drejtave të këtyre personave”, – shton Ahmet Prençi, i cili në të kaluarën ka qenë edhe Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Mungesa e trajnimeve

Problemet me shoqërimin e qytetarëve janë të shtrira në të gjitha nivelet e policisë. Ndonëse ligji i policisë është i qartë dhe parasheh një sërë rregulloresh strikte, që uniformat blu duhet t`i respektojnë në çdo situatë, në praktikë ata mjaftohen vetëm me disa kurse bazë.

Lektorë nga Akademia e Sigurisë i thanë INA-s se një polic, para se të nisë punë, aftësohet në kursin e formimit bazë për të gjitha procedurat që duhet të ndërmarrë për shoqërimet, bazuar në Ligjin për Policinë e Shtetit dhe procedurat standarde. Po sipas të njëjtit protokoll, këto aftësi duhet të zhvillohen edhe gjatë periudhës së stazhit, që një inspektor i ri kryen, para se të dalë zyrtarisht në terren. Ai duhet të qëndrojë në kushte reale të terrenit për disa javë me patrullën e përgjithshme, Policinë Rrugore apo atë të Hetimit të Krimeve.

Por, krejt ndryshe nga sa përcakton protokolli, në praktikë efektivët e policisë përballën me mungesën e trajnimeve profesionale.

“Mjaftohen vetëm me kursin bazë gjatë rekrutimit dhe këtu mbaron përgatitja e tyre në vite”, – shprehet kreu i sindikatës së policisë, Sadetin Fishta.

“Mungojnë fare në organikë instruktorë të përgatitjes profesionale në komisariate, që planifikojnë programe trajnimi e testimi për efektivët e policisë. Mungojnë palestra e poligone për armët e brezit në komisariate, ku të ushtrohet profesionalisht efektivi”, – shton më tej ai.

Abuzimi me forcën e uniformës së policisë konfirmohet edhe nga disa vendime të gjykatave, të siguruara nga Investigative Network Albania, të cilët akuzohen për “kryerje të veprimeve arbitrare”.

Në një rast këqyrja e pamjeve filmike vërtetoi pretendimet e një qytetari, sipas të cilit dy policë të patrullës së përgjithshme të Komisariatit nr. 6, në Tiranë ushtruan dhunë fizike. Policët u dënuan me nga 50 orë punë në interes publik për veprën penale “Kryerja e veprimeve arbitrare”, në bashkëpunim.

“Në kuadër të një hetimi sa më objektiv është bërë këqyrja e pamjeve filmike të dhunës së pretenduar dhe në dinamikë të hetimit është vendosur dhe kryerja e një ekspertimi filmik sinjalitik. Referuar aktit nr. 1406, datë 20.06.2020, konkludohet në dhunë fizike, goditje e njëpasnjëshme nga punonjësit e policisë, të identifikuar M. E., dhe N. B.”, – thuhet në vendimin e Gjykatës së Tiranës.

Hetimi i nisur për policin rrugor F. K., dëshmoi se ai ushtroi dhunë ndaj një qytetari, edhe pse ky i fundit (qytetari) nuk ka bërë qëndresë. Si pasojë, polici është dënuar me 4 muaj burg me gjykim të shkurtuar, konvertuar më pas me 60 orë punë të detyrueshme në interes publik.

“Me qëllim kryerjen e një hetimi objektiv dhe të gjithanshëm janë këqyrur dhe janë transkriptuar pamjet filmike, nga ku rezulton se shtetasi F. K., ndonëse nga ana e qytetarit F. P., nuk është treguar qëndresë, ka ushtruar dhunë”, – thuhet në fashikullin gjyqësor.

Sipas zbardhjes së prokurorisë, në këtë ngjarje nuk ka pasur vetëm dhunë, por polici i Rrugores ka përdorur edhe një gjuhë denigruese ndaj qytetarit.

Shtetasi: Ça ke mo llaa….?!

Punonjësi i policisë në krahun e majtë në video:
Kujt i ikën ti eee? Ke b… ti eee…

Shtetasi: Mos prek me dorë!

Punonjësi i policisë në krahun e majtë në video: Po s`ke b… ti jo!

Shtetasi:
Po s`i iki njeriu unë jo, po nuk i iki njeriu, unë jam punëtor, po jam punëtor krahu, mo burrë.

Faktin që disa policë kalojnë në paligjshmëri, ish-drejtuesi i policisë, Nako, e lidh me mosfunksionimin e “pastrimit” të kësaj strukture.

“Brenda organizatës së policisë ka mjaft individë problematikë. Mjafton të kujtojmë këtu faktin se përse nuk vazhdoi deri në fund nisma për ta nënshtruar gjithë policinë ndaj testit të drogës” – shprehet për INA-n Pëllumb Nako.

Dhunë, edhe Policia Bashkiake, edhe policia private

Duket se pasja e një uniforme mbi shpatulla i bën policët (jo vetëm ata të shtetit) të ndihen superiorë ndaj qytetarëve.

Gjykata e Tiranës ka dënuar 3 policë bashkiakë me nga 3 muaj burg, pasi ata kanë shkuar në një biznes për grumbullimin dhe shitjen e skrapit, duke i bërë presion pronarit që ta mbyllte aktivitetin, ndonëse nuk dispononin asnjë urdhër apo vendim me shkrim.

“Insistuan të mbyllja biznesin, gjë të cilën e refuzova. Të pandehurit filluan të acaroheshin dhe të ushtronin dhunë, duke më shtyrë jashtë portës hyrëse dhe dalëse. Më goditën dhe më pas kam tentuar t`i nxjerr jashtë dhe zotërinjtë morën policinë në telefon dhe policia më mori mua. Objekti i ardhjes ishte mbyllja e biznesit, për arsye të paqarta. Unë ushtroj një aktivitet të ligjshëm”, – ka dëshmuar në gjykatë para policëve bashkiakë biznesmeni E. H.

Ndodh që mund të dhunohesh edhe nga një punonjës sigurie i kompanive të policive private, siç njihen ndryshe SHPSF, vetëm për radhën për veprime në një sportel banke.

“Debatuam me fjalë dhe, në momentin që u ktheva me kurriz, ai më goditi me shkopin e gomës, që kishte me vete, në pjesën e pasme të kokës. Kontaktova drejtoreshën e degës, e cila më sqaroi se ky person ishte problematik dhe prej disa ditësh kishte kërkuar që të largohej nga institucioni i saj. Erdhi policia dhe në prani të tyre roja me kërcënoi sërish dhe m`u drejtua me fjalët “Do të të zhduk! Do të të vras”, – ka deklaruar qytetari A. P., në gjykatë.

Dhuna ndaj të miturit, dënim qesharak

Në mes të pandemisë pamjet e dhunës ndaj një të mituri nga një punonjës policie pranë zonës së Liqenit Artificial bënë xhiron e rrjeteve sociale. INA MEDIA ka siguruar dosjen penale të këtij rasti në Gjykatën e Tiranës. Polici ka marrë një dënim qesharak me 100 orë punë në interes publik dhe madje atij i është hequr edhe pezullimi nga detyra.

“Pamjet filmike janë këqyrur nga oficeri i Policisë Gjyqësore, ku duket se i mituri i shtrirë në tokë po thotë fjalë fyese në drejtim të punonjësve të policisë. Punonjësit e policisë po e prangosnin dhe i pandehuri G. N., e ka goditur me pëllëmbë, ndërkohë që i mituri ka qenë i shtrirë në tokë. Kur i mituri është çuar në këmbë, i pandehuri ka vijuar ta godasë me pëllëmbë dhe grusht”, – thuhet në fashikullin gjyqësor.

Dhuna ndaj të miturit, maj 2020

Krahasuar me atë që parashikon Kodi Penal, ky dënim duket i papërfillshëm.

“Kryerja e veprimeve ose dhënia e urdhrave arbitrare nga ana e punonjësit, që kryen një funksion shtetëror ose një shërbim publik gjatë ushtrimit të detyrës së tij, që prekin lirinë e shtetasve, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në shtatë vjet”, – thuhet në nenin 250 të Kodit Penal.

“Pandëshkueshmëria e sjelljeve abuzive të policisë dhe rasteve të tejkalimit të forcës është një nga faktorët kyç që shkakton precedentë të ngjashëm dhe të përsëritur” – thotë për INA-n Erida Skëndaj, Drejtoreshë Ekzekutive e KSHH.

Pandemia e Covid 19 duket se ishte një periudhë që shtoi edhe më shumë konfliktet dhe përplasjet mes policisë dhe qytetarëve. Sipas raportimeve zyrtare, gjatë vitit 2020, kur ishin në fuqi dhe masat kufizuese, 103 qytetarë u ankuan për gjobë të padrejtë (Covid 19).

Por, ndërsa shenjat e dhunës fizike mund të rikuperohen, personat që përballen me dhunën e policisë duket se e kanë të vështirë të lënë pas krahëve episode të tilla, traumatike.

“Në aspektin fizik pasojat që kisha janë larguar, ndërsa në aspektin psikologjik ka qenë shumë e vështirë të mundohesha ta fshija atë ditë nga mendja”, – përfundon studenti i dhunuar nga policia, Blendi Shahu.

Ky artikull u botua pranë “Investigative Network Albania” 

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME